Gjergj Vyshka 27.12.2016 14:20
Ende pa u mbyllur viti 2016 merkato e basketbollit shqiptar ka nisur të lëvizë. Ka goditur Vllaznia, e cila ka bërë pjesë të sajën amerikanin Derrill Palmer, i cili deri më tani ka luajtur në Estoni me skuadrën Tarvas. Më parë ka luajtur për kolegjet amerikane, ndërsa ardhja e tij tek kuqeblutë përbën kulmin e merkatos.
Aq më tepër që presidenti i kësaj skuadre, Sokol Dibra, i kishte premtuar ardhjet si qëllim për ta rishpallur Vllazninë “kampione” të basketbollit shqiptar. Palmer dallohet për zhytjet spektakolare dhe tek Vllaznia duket se do të shërbejë për gjithçka që i duhet trajnerit Gjeçaj e ndihmësit të tij Hallunaj.
Ndërkohë, nga faqja e “Facebook”-ut “Basketbolli shqiptar” mësohet se Tirana ka arritur akordin me Andrea Gjinaj, që ka luajtur në Itali me Skavolinin. Por menaxheri i përgjithshëm i klubit bardheblu, Anxhelo Koleka, e ka mohuar një lëvizje të tillë, duke e quajtur të paqenë.
“Të gjithë lëvizjet tona ne i bëjmë të ditur përmes faqes së “Facebook”-ut të klubit tonë. Nuk e di nga dalin këto zëra, por deri më tani nuk kemi arritur ndonjë akord”, – ka përfunduar Koleka.