Gjergj Vyshka 03.10.2014 21:15
Tërhiqet UAT-ja, Apolonia zëvendëson ekipin e Arben Fagut tek Meshkujt. Kryesia e Federatës Shqiptare të Basketbollit, në mbledhjen e saj të aë hënës, përveç miratimit të pjesëmarrjes së ekipeve kombëtare të moshave 16-20 vjeç në Kampionatin Evropian, Divizioni B, ka vendosur që Kampionati Kombëtar i të rriturve dhe të rriturave për sezonin sportiv 2014-2015 të fillojë më 17 tetor.
Madje gjithnjë sipas vendimit të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, datë 29 shtator 2014, me nr. prot 105, klubet kanë afat deri më 10 tetor për dorëzimin përfundimtar të dokumentacionit, si dhe të përmbushjes së detyrimeve financiare karshi institucionit më të lartë të koshit. Dhe një ditë më pas, Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit do të mblidhet, do të shqyrtojë dokumentacionin dhe më pas do të vendosë për ekipet që do të marrin pjesë.
Ndërkohë për shkak të tërheqjes së skuadrës së UAT-së nga kampionati, Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit ka vendosur që të fusë Apoloninë në grupin A1 të të rriturve, quajtur ndryshe “Kategoria Superiore”. Tri ekipet e mbetura në Grupin B do të luajnë me sistemin vajtje-ardhje dhe ato janë Elbasani, Teuta dhe Studenti.
Ndërkohë Komiteti Drejtues ka bërë dhe rregullime në statut, teksa janë ndryshuar nenet 4.3 dhe 4.4 duke lejuar më shumë se nëntë lojtarë në skuadër. Madje është lejuar që një lojtar i Nën-18-vjeçarëve të luaj më me shumë se një skuadër brenda shoqatës. E ky lojtar të licencohet me tarifa të dyfishuara. Përfundimisht, kampionati kombëtar i basketbollit do të nisë më 17 tetor, ndërkohë që më 14 tetor, Vllaznia e meshkujve nis nga Prishtina pjesëmarrjen e saj në Ligën Ballkanike.