Gjergj Vyshka 14.04.2016 09:50
Antonis Kostantinides, trajneri i kombëtares së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, dje ka qenë në Tiranë. E së bashku me ndihmësin e tij Afrim Bilali, por dhe në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, kanë nisur hartimin e planit të punës për kuqezinjtë.
Siç dihet Shqipëria do të jetë në kualifikueset e Kampionatit Evropian përballë Gjeorgjisë, Sllovakisë dhe Malit të Zi, ndërsa ndeshjet do të luhet përgjatë periudhës 31 gusht-17 shtator 2016. Sipas ndihmëstrajnerit të kuqezinjve, Afrim Bilali, starti zyrtar i përgatitjeve të Shqipërisë do të jetë 1 gushti.
“Ndoshta mund të jetë edhe pak më herët, por kjo mbetet për t’u konfirmuar, – ka sqaruar ish-trajneri i mirënjohur i Kombëtares. – U diskutua edhe për hartimin e një 22 lojtarësh mes atyre që luajnë në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë. Përgjithësisht gjërat i kemi gati presim vetëm startin e punës.”