AlbanianSport.com 21.03.2016 13:25
ASNN – Më 29 mars do të mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Basketbollit, e cila do të zgjedhë edhe organet e reja drejtuese të saj për 4 vitet e ardhshme. Kandidaturat për president të FSHB-së janë dy, kreu aktual i këtij organizmi, biznesmeni Avni Ponari, si dhe ish-basketbollisti dhe ish-trajneri Arben Fagu, ndërkohë që do të votohet edhe për 7 anëtarët e Komitetit Drejtues.
Komuniteti i basketbollit do t’u drejtohet në fund të këtij muaji procesit të votimit, për të zgjedhur kreun e saj dhe anëtarët e Komiteti të saj Drejtues. Në përputhje me statutin e saj, Federata ka shpallur 29 marsin si datën e zgjedhjeve për organet e saj drejtuese, duke shpallur edhe kandidaturat përkatëse. Ndryshe nga 4 vjet më parë, kur Asambleja e organizmit që qeveris koshin shqiptar është mbajtur në Valbonë, këtë fund marsi kjo asamble do të mbahet në qytetin e Pogradecit.
Sipas informacionit të shpërndarë për mediat nga Federata Shqiptare e Basketbollit, janë bërë tashmë të ditur emrat e të mandatuarve, kandidatëve për president dhe anëtarëve të Komitetit Drejtues. Janë gjithsej 51 delegatë të cilët përfaqësojnë 23 shoqatave anëtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Bie në sy që numrin më të madh e ka Flamurtari me katër delegatë, sepse nuk ka një ndarje më vete basketboll meshkuj e femra, por funksionon si një shoqatë e vetme.
Ndërkohë që kandidaturat për president të FSHB-së janë dy, kreu aktual i këtij organizmi, biznesmeni Avni Ponari, si dhe ish-basketbollisti dhe ish-trajneri Arben Fagu, janë plot 19 kandidaturat për Komitetin Drejtues. Ky i fundit përbëhet nga shtatë anëtarë, nga të cilët, njëri është presidenti dhe gjashtë janë anëtarë të tjerë.