Gjergj Vyshka 09.06.2016 17:55
Po të hënën, Federata Shqiptare e Basketbollit ka lajmëruar se do të bëhet seleksionimi i parë i kombëtares së Nën-18-vjeçarëve për djem, e cila do të zhvillohet nga ora 16:00, deri në ora 18:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.
Dhe, për rrjedhojë, Federata Shqiptare e Basketbollit u ka kërkuar klubeve jo vetëm paraqitjen e kandidatëve, por dhe pajisjen e tyre me kopje të skanuar të pasaportës, certifikatë personale të tre muajve të fundit, foto me madhësi pasaporte.
Sepse, gjithnjë sipas Federatës Shqiptare të Basketbollit, vetëm kështu do të mund të bëhet regjistrimi i kësaj kombëtareje brenda afateve të kërkuar nga Federata Evropiane e koshit.
Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve për djem, ashtu sikurse dhe një pjesë e mirë e përfaqësueseve të moshave, konkurron në Divizionin B të Kampionatit Evropian të Basketbollit të grupmoshave.
Ndeshjet e saj do të luhen nga data 29 korrik, deri më 7 gusht 2016 në Shkup të Maqedonisë dhe kombëtarja kuqezi do të jetë përballë Anglisë, Sllovakisë, Skocisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Tashmë pritet të bëhet dhe përzgjedhja e Kombëtares së Nën-16-vjeçareve për vajza.