ASNN – Është larguar prej shumë vitesh nga Shkodra, por edhe nga Shqipëria për të emigruar si shumë të tjerë në Evropë. Por falë talentit dhe përgatitjes që mori në ekipet e Vllaznisë, Klaudio Ndoja do të vijonte pasionin e tij të basketbollit edhe në Itali, atje ku sot është ndër më të mirët në Serinë A. Klaudio i është përgjigjur pozitivisht ftesave të herëpashershme të kombëtares së Shqipërisë, pjesë e së cilës është edhe aktualisht. Të gjithë këto kanë bërë që presidenca e Republikës së Shqipërisë ta nderojë atë me urdhërin “Naim Frashëri”.
Federata Shqiptare e Basketbollit, me pëlqimin e vete Klaudios, vendosi që këtë titull t’ia dorëzojë atij në qytetin e lindjes, në Shkodër. Krahas drejtuesve më të lartë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, presidentit Avni Ponari dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Korab Llazani, në ceremoninë e organizuar në mjediset e “Grand Hotel Europa”, të pranishëm ishin edhe Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Kostandin Shkurti.
Ceremonia në fjalë është hapur nga ana e presidentit të FSHB-së, Avni Ponari, ku ndër të tjera ka bërë të ditur titulli në fjalë për basketbollistin Klaudio Ndoja është akorduar kohë më parë nga ish-Presidenti i Republikes, Bujar Nishani. Titullin e lartë “Naim Frashëri”, Klaudio Ndojës ia ka dorëzuar zv/ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Kostandin Shkurti. “Ti Shqipëri më jep nder”, shkruhej në stendën e ekspozuar gjatë ceremonisë dhe poshtë saj jo më kot ishte vendosur emri i “Klaudio Ndojës” për të treguar se edhe vete Klaudio është një nder për Shqipërinë.
Një gjë të tillë e ka konsideruar edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila rezultatet e arritura nga bashkëqytetari Klaudio Ndoja e kanë bërë të ndjehet krenare. Ademi ka pasur kënaqësinë t’i dorëzojë Ndojës një album me foto dhe histori nga lojërat me dorë dhe kryesisht basketbolli. Pjesë e aktivitetit ishte edhe një fotomontazh i transmetuar për të pranishmit, në të cilin pasqyrohej, jeta dhe karriera sportive shumë e suksesshme e Klaudio Ndojës, që nga Shkodra dhe ekipet e Vllaznisë dhe deri tek basketbolli italian ku aktualisht luan si titullar me Bolonjën, ndërkohë që është edhe një ndër titullarët kryesorë të kombëtares së Shqipërisë.