Gjergj Vyshka 16.03.2016 11:35
Masivizimi, profesionalizmi, infrastruktura dhe propagandimi janë shtyllat kryesore të Fagut në programin e tij. “Duhet të pranojmë që basketbolli nuk është në ato nivele që ka qenë, – ka deklaruar Fagu në daljen e tij të parë publike në “Sport Magazin” të “Ora News”. – Nëse bota ecën me një ritëm të lartë, ne jemi prapa dhe largohemi nga bota. Na largon nga afrimi i fëmijëve dhe të rinjve për të ushtruar këtë sport. Duhet të dini që është i hapur informacioni.”
“Basketbolli shqiptar është në këto nivele, ndërsa rreth e qark nesh kemi vende të zhvilluara, – ka vijuar ai. – Dhe është fatkeqësi të kesh afër këto vende dhe ti e ndjen se ke mbetur pas.” Dhe për Fagun basketbolli duhet të jetë më i pranishëm nëpër faqet e gazetave dhe nëpër ekrane televizive. “Duhet që të rinjtë e sotëm të kenë idhujt e tyre, – ka theksuar ish-basketbollisti. – Masivizimi, profesionalizmi, infrastruktura dhe propaganda, media, marketingu.”
“Të katra të jenë në harmoni, – ka vijuar trajner i ekipit privat të Universitetit Amerikan të Tiranës (UAT). – Që të kemi një basketboll masiv duhet ta fusim në shkolla. Dhe ne së shpejti do të paraqesim projektet pranë Bashkive dhe vendeve të zhvillimit të basketbollit. Pra të mos jetë vetëm Federata, por të kemi Mini-Federata nëpër ato qytete që e kanë traditë këtë sport. Sepse duke pasur aktivitete për të rinj dhe fëmijët do të kemi dhe më shumë talente”.
Fagu ka eksperiencën e zhvillimit të aktivitetit të Fondacionit “Soros”, ndërsa bën me dije se së shpejti një projekt i tillë do t’i paraqitet dhe qeverisë. “Ne kemi biseduar dhe me vendet fqinje, apo Federata të fuqishme, që janë të gatshëm për të na mbështetur me projekt-ide, bazë materiale, apo dhe aktivitete të ndryshme”, – ka thënë kandidati për president i Federatës Shqiptare të Basketbollit.