AlbanianSport.com 01.12.2014 20:40
Kombëtarja e dytë e Shqipërisë në basketboll, e cila do të vazhdojë përfaqësimin në arenën ndërkombëtare në verën 2015, do të jetë ajo e Nën-20-vjeçarëve. Kjo përfaqësuese do të jetë në Divizionin B, ndeshjet e të cilit do të zhvillohet, nga data 9, deri më 19 korrik në Zekeshfehvar të Hungarisë. Përfaqësuesja jonë do të jetë në Grupin D, atje ku do të ketë për kundërshtar Hungarinë, Suedinë, Sllovakinë dhe Moldavinë.
Më pas i vjen radha kombëtares së Nën-18-vjeçarëve, që do të jetë nga data 23 korrik, deri më 2 gusht 2015 në Obervart të Austrisë. Shqipëria e Afrim Bilalit do të jetë në grupin A dhe do të përballet me Estoninë, Anglinë, Zvicrën, Poloninë dhe Bullgarinë. Në vijim kombëtarja e Nën-18-vjeçareve për femra do të jetë në Bukuresht të Rumanisë, gjithnjë Divizioni B, nga data 30 korrik, deri më 9 gusht 2015. Dhe përsëri në grupin A vajzat tona do të jenë përballë Turqisë, Zvicrës, Bjellorusisë dhe Suedisë.
E gjithçka e mbyll kombëtarja Nën-16-vjeçareve për vajza, në Divizionin B, nga data 13, deri më 23 gusht 2015. Ndeshjet do të zhvillohet në Ohër dhe Strugë të Maqedonisë, atje ku kombëtarja jonë, në grupin A, do të jetë përballë Suedisë, Danimarkës, Zvicrës dhe Rumanisë. Kësisoj tashmë Shqipëria i ka mësuar kundërshtarët, ndërsa mbetet të bëhet përgatitja cilësore për një paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare. Për të mos thënë përsëri… kemi mbetur në nivelin e kampionatit që zhvillojmë në vendin tonë.