AlbanianSport.com 13/01/2024 10:20
ASNN – Basketbolli është sporti i parë i lojërave me dorë që kthehet në parket në këtë vit që sap ka nisur. Pas pushimeve të festave të fundvitit, rikthehen këtë javë ndeshjet e basketbollit, por me Kupën e Shqipërisë. Në fushë zbresin të gjitha ekipet për të rritura e të rritura, për të nisur sfidat e para të 2024-ës.
Fillimisht kanë luajtur meshkujt, ku për shkak të numrit më të madh të ekipeve, gjithçka ka nisur me fazën para-eliminatore dhe eliminatore, që u luajt më 10 dhe 12 janar 2024. Në këtë fazë do të luajnë 4 ekipet e renditura më dobët në përfundim të fazës së parë të Superligës.
Nga këto 4 skuadra u kualifikua vetëm një, që do t’i bashkohet 7 të tjerave në fazën çerekfinale. Te femrat, duke qenë se janë vetëm 8 skuadra pjesëmarrëse, do të luhet direkt faza çerekfinale, që do të zhvillohet më datat 12 dhe 13 janar 2024. Ndeshjet çerekfinale te femrat luhen sipas formulës 1-8, 2-7, 3-6, 4-5, sipas pozicioneve që
kanë skuadrat në renditjen aktuale në kampionat.
Kjo vlen edhe për meshkuj, ku skuadra e renditur e para do të luajë me ekipin që vjen nga turi eliminator. Sipas formulës, luhet me ndeshje teke, e cila do të zhvillohet në fushën e ekipit renditur më mirë në renditje. Kupa e Shqipërisë do të vijojë për 3 javë me radhë, për t’u mbyllur në fund të janarit.