Gjergj Vyshka 13.01.2017 20:25
I ftohti i acartë që ka pushtuar të gjithë vendin në këtë fillimviti, shoqëruar jo vetëm me reshje bore deri në zonat e ulëta, por dhe temperatura disa gradë nën zero, e ka detyruar Federatën Shqiptare të Basketbollit që të shtyjë rifillimin e kampionatit të moshave. Bëhet fjalë për javën e tretë të kampionatit të të rejave dhe të rinjve, që, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, do të rifillojë të shtunën e ardhshme.
“Nuk është vetëm thjesht çështje gripi, – thotë nr. 2 i organizmit që qeveris basketbollin shqiptar, – por sepse në rregullore është që të luhet në dimër në salla që të kenë një temperaturë 16-22 gradë celsius. Gjë që pallatet tona të sportit nuk e përmbushin këtë kriter. Në këto kushte e kemi shtyrë kampionatin e kësaj grupmoshe për të shtunën e ardhshme.”
Sigurisht që tashmë janë të parashikuar dhe mbingarkesat, që do të thotë se do të luhet dhe në mesjavë me kërkesën e Federatës Shqiptare të Basketbollit, për ta përfunduar këtë veprimtari kombëtare të moshave brenda 22-23 prillit 2017. Sepse çdo zgjatje më pas, në kushtet kur do të nisin dhe fushatat elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit e Pallatet e Sportit janë të preferuara për gjithçka, do të ketë kosto të mëdha.
Dhe në këtë ide edhe kampionati i të rriturave dhe të rriturve, që nis më 3-4 shkurt, është parashikuar të mbyllet më 5-6 maj 2017. “Do të gjejmë mënyra dhe për të luajtur në mesjavë dhe të përfundojmë gjithçka brenda afatit të caktuara”, -ka mbyllur deklaratën e tij Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani.
Ndërkaq, janë ende në pikëpyetje zhvillimi i kampionatit të paratërejave dhe paratërinjve (Nën-16-vjeçarëve) me sistemin vajtje-ardhje për shkak të mbingarkesave në sallat sportive, si dhe turnetë që bëhen për grupmoshat nga 10, deri në 14 vjeç.