Gjergj Vyshka 01.12.2014 18:25
Aksion ndërkombëtar, basketbolli nis të bëhet gati për pjesëmarrjen ndërkombëtare. Ndryshe nga viti i kaluar, kombëtarja e Nën-16-vjeçarëve për djem do të jetë në Divizionin C. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar dhe më parë, në Budapest të Hungarisë dje janë rrotulluar goglat, teksa është hedhur shorti i Kampionateve Evropiane për moshat. Për herë të parë në këtë dekadën e fundit, Shqipëria e koshit ka pranuar që të marrë pjesë me pesë ekipe, të cilat janë tre meshkuj dhe dy femra.
Më saktë do të jemi të përfaqësuar me kombëtaren Nën-20-vjeçarëve, e cila do të drejtohet nga malazezi Nikola Milatoviç, nga kombëtarja Nën-18-vjeçarëve, që do të udhëhiqet nga një prej legjendave të viteve të fundit të basketbollit shqiptar si Afrim Bilali, si dhe Nën-16-vjeçarëve për djem që mbetet të zgjedhë trajnerin. Por jo vetëm kaq, Shqipëria e basketbollit do të ketë dhe ekipet e saj për femra në Nën-18-vjeçarëve dhe Nën-16-vjeçarëve.
Megjithatë nëse shumica e skuadrave janë në Divizionin B, atje ku do të kenë përballë kundërshtar të fortë e të përgatitur dhe që do t’i pjekin më shumë për paraqitjet ndërkombëtare basketbollistët tanë, ajo që bën përshtypje është vendosja e Nën-16-vjeçarëve për djem në Divizionin C. E thënë ndryshe do të jetë në kategorinë e skuadrave të vogla, ndonëse në ballafaqimin e gushtit 2014, me 3 fitore dhe 4 humbje dhe duke u renditur në vendin e 17-të mes 22 skuadrave në Divizionin B, ka qenë në një nivel të pranueshëm.
Që do të thotë se duhet të ishte përsëri në të njëjtin Divizion. Pikërisht kjo kombëtare Nën-16-vjeçarëve e djemve në Divizionin C, e cila do t’i zhvillojë ndeshjet nga data 6, deri më 11 korrik 2015 në San Marino, do të jetë ajo që do të ngrejë siparin për pjesëmarrjet ndërkombëtare në verë të kombëtareve kuqezi të koshit. Shqipëria në këtë grup do të jetë përballë Andorrës, Maltës dhe skuadrës vendëse, San Marinos, gjithnjë në grupin A.