AlbanianSport.com 10.01.2016 14:35
ASNN – Basketbollisti: “Ne kërkojmë të fitojmë jo vetëm titullin “kampion”, por dhe Kupën e Shqipërisë dhe Superkupës së Shqipërisë. Falënderoj kryebashkiakun Mziu dhe trajnerin Muhametaj për afrimin në ekip.” Kamza Basket është kryesuese me meritë e Superligës së Kampionatit Kombëtar të basketbollit për Meshkuj. Dhe një kontribut të veçant ka edhe lojtari Julian Hamati. Ai është njëri nga lojtarët që është dalluar më së shumti te Kamza Basket në këtë sezon. Në çdo ndeshje që ka zhvilluar Kamza Basket, Hamati ka qenë një ndër më të mirët për skuadrën e trajnerit Adem Muhametaj. Gjatë fazës së parë të Kampionatit Kombëtar është shquar për pikët e shumta që ka shënuar në çdo ndeshje dhe ka qenë lojtari kyç i ekipit.
Në të gjitha ndeshjet që është aktivizuar ka dhënë shumë nga repertori i tij duke e ndihmuar Kamza Basket të ngjitet në vendin e parë. Prej dy vitesh i është bashkangjitur Kamzës në basketboll për meshkuj, ndërsa pat ardhur nga Partizani. Edhe pse ka përfunduar faza e parë e kampionatit në muajin dhjetor të vitit 2015, Kamza Basket në basketboll, nën drejtimin e trajnerit Muhametaj, nuk e ka ndërprerë për asnjë ditë stërvitjen, ndërsa çdo pasdite ekipi e zhvillon në palestrën e Bathore. Basketbollistët e Kamzës edhe në fillim të këtij viti po punojnë fuqishëm që të jenë të gatshëm në javën e parë të muajit shkurt kur fillon edhe faza e dytë, pa harruar këtu finalet e Kupës së Shqipërisë.
Këtë fazë të parë statistikat janë të shkëlqyera për Julian Hamati, i cili në total ka shënuar gjithsej 178 pikë, ndërsa ka kapur 114 topa në tabelë. Për sa i përket fazës së sulmit, Julian Hamati ka 32 topa në tabelën e kundërshtarit, kurse në fazën e mbrojtjes ka bërë 22 bllokime topi. Minutazhi i aktivizimit të tij gjatë fazës së parë në total është 328 minuta lojë. Julian Hamati premton për tifozerinë e Kamzës rikthimin e titullit kampion në këtë qytet dhe fitimin e Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë. Në aspektin personal, Hamati kërkon fitimin e çmimin si basketbollisti më i mirë shqiptar. Pavarësisht ofertave që ka, Julian Hamati deklaron se ndihet jashtëzakonisht mirë në këtë ekip.
Kjo për shkak të mbështetjes së vazhdueshme të kryebashkiakut Mziu, punës së palodhshme të trajnerit Muhametaj, si dhe mbështetja që po i japin edhe lojtarët më me përvojë të ekipit. Merita të veçanta, sipas tij, që ekipi i Kamza Basket është kryesuese e kampionatit ka përvoja dha dashamirësia e kapitenit Erkand Karaj. Vlerëson shumë frymën pozitive të grupit, ku i gjithë grupi është optimist. Hamati tregon se një armë shumë e fortë është puna dhe serioziteti i trajnerit Muhametaj, i cili e mban grupin shumë të karikuar. Gjithashtu basketbollisti i Kamzës shprehet optimist edhe për punën që po bëhet edhe me të rinjtë e tjerë që janë pranë ekipit të parë, të cilët premtojnë mjaft për të ardhmen.
E këtu është fjala për Strazimirin, Muhametajn dhe Oruçi. Ai ka vlerësuar dhe çmimin që Bashkia e Kamzës dha për Erkand Karajn si sportisti i vitit 2015, sepse, sipas Hamatit, përvoja e tij është në shumë plane pozitive për ekipin. Në aspektin e tij profesional deklaron se është rritur tek Kamza Basket kjo falë dashamirësisë së kryebashkiakut Mziu dhe trajnerit Muhametaj.