Gjergj Vyshka 10.12.2015 15:20
Gjyqtari ndërkombëtari i basketbollit shqiptar, Gentian Cici, ka gjykuar ndeshjen e tij të tetë për këtë sezon në “Euro Cup” për meshkuj. Ai ka qenë dje në ndeshjen e grupit E, midis hungarezëve të “Zolnoki Olajit” dhe turqve të “Beshiktash Sompo Japan”.
Ndeshja e luajtur në qytetin Tiszagileti, e ndjekur nga rreth 1600 shikues, është fituar nga skuadra vendëse 85-67 (21-19, 27-18, 16-17, 21-13). Në këtë takim, Cici ka qenë gjyqtar i 3-të, kurse i parë ishte ukrainasi Boris Shulga e i dytë spanjolli Karlos Peruga.
Pra pas dy ndeshjeve në Lubjanë, një në Las Palmas dhe Saragoza të Spanjës, një në Bukuresht të Rumanisë, në Podgoricë të Malit të Zi, në Trabzon të Turqisë, tashmë i ka shtuar vetes edhe një ndeshje në Hungari.
Që do të thotë 8 ndeshje në 9 ture të “Euro Cup, pa harruar një ndeshje në Ligën Ballkanike, si dhe katër takime në Kampionatin Evropian të të rriturve, janë treguesi i një paraqitjeje në rritje për ndërkombëtarin Gentian Cici. Një gjyqtar më shumë se cilësor.