Gjergj Vyshka 06.01.2016 09:35
Dje ka nisur turi i 32-shes së “Euro Cup” në basketboll për meshkuj. Dhe ndërkombëtari Gentian Cici, një ndër më të mirët e bilbilave të koshit shqiptar, ka gjykuar ndeshjen e tij të dhjetë.
Ai ka qenë në Limozhë të Francës, atje ku skuadra vendëse ka pritur Eve Basket Oldenburg. Cici ka qenë gjyqtar i tretë, ndërsa i parë në këtë ndeshje ishte serbi Marko Juras, kurse i dytë lituanezi Jurgis Laurinavicius.
Kësisoj pas dy ndeshjeve në Lubjanë, e më pas me radhë në Las Palmas, Zaragozë, Bukuresht, Podgoricë, Trabzon, Rexhio Emilja dhe në Tizgaleti, tashmë është në Limozhë të Francës në ndeshjen e tij të 10-të në 11 javë që janë luajtur në “Euro Cup”.
Pa harruar këtu edhe një ndeshje në Ligën Ballkanike, kurse kështu paraqitja e Cicit vjen gjithnjë e më shumë në rritje.