Gjergj Vyshka 04.02.2016 19:05
Tashmë nuk është më lajm që Gentian Cici, gjyqtari ndërkombëtar i basketbollit shqiptar, është “bilbil” në “Euro Cup”. Sepse edhe dje në mbrëmje ai ka qenë pjesë e treshes së gjyqtarëve që kanë gjykuar ndeshjen e grupit N mes Dinamo “Banko di Sardenja” Sasari me hungarezët e Zolnoki Olaj, fituar nga vendësit 90-74.
Kjo është hera e dytë që Cici këtë sezon ishte në Itali, sepse më parë ka qenë në Rexhio-Emilja, ashtu sikurse ka qenë dy herë në Ljubjanë, tre herë në Turqi (Trabzon, Izmir dhe Banvit), apo dhe dy herë në Spanjë (Las Palmas dhe Saragoza). Pa thënë që bilbili i tij është ndjerë në Podgoricë, Bukuresht, Tzigoleti, Limozhë, Klaipeda.
E dje gjyqtar i parë në atë ndeshje ka qenë spanjolli Antonio Konde, kurse i dytë francezi Zhozef Bisang. Kurse Cici i tretë e megjithatë paraqitja e tij e përjavshme në “Euro Cup” rrit vlerat e tij si gjyqtar. Nuk duhet harruar që gjatë këtij sezoni ka gjykuar edhe një ndeshje në Ligën Ballkanike, sikurse dhe 4 ndeshje në Kampionatin Evropian të basketbollit për meshkuj vjeshtën e kaluar.