AlbanianSport.com 25/02/2018 17:30
ASNN – Gentian Cici, ndërkombëtari i basketbollit shqiptar, ka lënë përsëri shenjë në Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Kinë 2019”. Cici, i cili ka nënshkruar ndeshjen e tij të 21-të për sezonin 2017-2018, ka qenë dje në Frankfurt, atje ku ishte gjyqtar i tretë në ndeshjen e grupit G, Gjermani-Serbi 79-74 (20-26, 20-15, 17-18, 22-15).
Në këtë ndeshje, gjyqtar i parë ishte italiani Manuele Maxoni, kurse i dytë spanjolli Fernando Kalatrava dhe vëzhgues i tyre spanjolli Fernando Garzon. Për Cici kjo ishte ndeshja e tretë në turin e parë të Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Kinë 2019”, sepse më parë ka qenë tek Bosnje-Hercegovinë – Rusi dhe Spanjë-Slloveni.
Madje ka qenë edhe në gusht të vitit të shkuar në turin paraeliminator të këtij Botërori tek Bosnje-Hercegovinë-Armeni. E përveç këtyre 3 ndeshjeve, për sezonin 2017-2018 Cici numëron 16 ndeshje në Ligën e Kampioneve për meshkuj, 1 në Ligën e Evropës për femra dhe 1 në Eliminatoret e Kampionatit Evropian për femra 2019.
Në total 21 ndeshje, ndërsa mbetet një ndër elementët më të rëndësishëm të basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. E për më tepër, është gjithnjë në ndeshjet më të rëndësishme.