AlbanianSport.com 16.08.2016 21:40
ASNN – Radio-Televizioni Shqiptar dhe Federata Shqiptare e Basketbollit kanë nënshkruar sot në Tiranë marrëveshjeje mirëkuptimi, që parashikon transmetimin e të gjitha ndeshjeve të ekipeve kombëtare, meshkuj dhe femra, të kombëtareve të moshave, si dhe të paktën të një ndeshjeje të Kampionatit Kombëtar.
Kështu, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të vazhdojë të mbetet shtëpia e gjithë sportit shqiptar. Kjo është garancia që ka dhënë të martën Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje mirëkuptimi me Federatën Shqiptare të Basketbollit.
Kjo marrëveshje parashikon transmetimin e të gjitha ndeshjeve të ekipeve kombëtare, meshkuj dhe femra, të kombëtareve të moshave, si dhe të paktën të një ndeshjeje të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, por edhe të Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës.
Për këtë arsye, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, kjo marrëveshje është një mbështetje mjaft e madhe që transmetuesi publik i jep këtij sporti. Kjo marrëveshje do të zbatohet duke nisur që me ndeshjet eliminatore të Kombëtares së meshkujve në Evropianin e Basketbollit, që do të luhen përgjatë periudhës 31 gusht-17 shtator 2016.