Gjergj Vyshka 27.07.2015 12:30
Federata Botërore e Basketbollit tashmë kërkon plotësimin e kushteve për të lejuar Shqipërinë e koshit për femra që të luajë ndeshjet eliminatore për Kampionatin Evropian 2017 në fushën e saj. Në grup tonat do të jenë përballë Italisë, Britanisë së Madhe dhe Malit të Zi, ndërsa ndeshjet nisin më 21 nëntor të këtij viti për të përfunduar në nëntorin e vitit të ardhshëm. Dhe Federata Shqiptare e Basketbollit, të paktën edhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Korab Llazani, ka kohë për të plotësuar këto kushte nëpërmjet një formulari të caktuar deri më 20 shtator 2015.
Po çfarë ka kërkuar FIBA? Së pari, është kapaciteti i Pallatit të Sportit, i cili maksimalisht duhet të jetë tek 2,000 vendet e ulura. Së dyti, gjendjen e gatishmërisë së aparaturave teknike të tabelave dhe kohës së 24-sekondëshit të sulmit. Së treti, respektimin e distancave nëpërmjet stolave dhe fushës. Së katërti, dhomat e zhveshjes me të gjitha kushtet e domosdoshme sanitare, që do të thotë me dushe brenda. E kjo jo vetëm për ekipin kundërshtar, por dhe për gjyqtarët.
E jo vetëm kaq, por dhe dhomën e konferencave për shtyp, si dhe distancën mes aeroportit dhe Pallatit të Sportit ku mendohen të luhen ndeshjet. Pa thënë pastaj për vendosjen e kamerave, sepse praktikisht, jo vetëm Britania e Madhe dhe Mali i Zi, por dhe Italia, nëpërmjet rrjetit të saj të Rai Sport do të jetë e interesuar për transmetimin e ndeshjes për publikun. Që do të thotë se është një shans për Federatën Shqiptare të Basketbollit për të shitur të drejtën televizive.
Përtej kësaj kur gjendja infrastrukturore e Pallateve të Sportit nuk është normale duket se optimizmi është në shkallën zero për plotësimin e këtyre kushteve. Për “Asllan Rusin”, gjithnjë sipas informacionit nga Federata Shqiptare e Basketbollit, kapaciteti plotësohet, por problemi është ndriçimi, çështja e dhomave të zhveshjes, si dhe e aparaturës, ndërsa dhe 24-sekondëshi duket se do të mund të importohet nga Shkodra, pasi nuk është brenda kushteve të kërkuara nga FIBA duke qëndruar mbi kosh.
Ka një shans që ndeshjet e femrave të kalohen në Shkodër, por problemi është distanca me Aeroportin “Nënë Tereza”. Mund të jetë e pranueshme për Malin e Zi, por jo për anglezet, të cilat kërkojnë kushtet deri më një, apo dhe për italianet. Në Korçë mbeten problem dhomat e zhveshjes, kurse të gjitha pallatet e sportit të tjera në Durrës, Vlorë, apo gjetiu kanë problem distancën e stolave me fushën.