Gjergj Vyshka 15.12.2016 13:45
“FIBA Europe Cup”, që është veprimtaria e tretë për nga rëndësia në basketbollin e kontinentit të vjetër, këtë javë ka qenë për dy gjyqtarët ndërkombëtarë, Gentian Cici dhe Erjon Hoxhaj.
Pasi ka gjykuar 8 ndeshje në Ligën e Kampioneve të meshkujve, 2 në Euro Kup për meshkuj dhe 1 në EuroLigën e femrave, Cici ka qenë dje gjyqtar i parë në ndeshjen e grupit K të “FIBA Europe Cup, Gaziantep-Sodertalje Kings 72-66 (16-17, 27-15, 21-15, 8-19).
Me të kanë qenë qiprioti Antonis Demetriou dhe hungarezi Tamash Foldhazi, ndërsa vëzhgues maqedonasi Vlado Cvetkovski. Ndërkohë Erjon Hoxhaj, i aktivizuar jo vetëm në Kupat e Evropës dhe Ligën Ballkanike, por dhe në Eliminatoret e Evropianit për femra, dje ka qenë në “FIBA Europe Cup” për vajza.
Hoxhaj ishte gjyqtar i dytë në ndeshjen e grupit C, Gallatasaraj-Dinamo Novosibirsk 75-52 (12-8, 17-11, 19-26, 27-7). Gjyqtar i parë në këtë ndeshje ishte francezi Edi Viator, kurse i 3-të ukrainasi Sergi Zashuk dhe vëzhgues maqedonasi Gjorgji Piperkov.