Gjergj Vyshka 27.03.2016 11:40
Një trepikësh i lojtares më të mirë të skuadrës së Viron Toskës në sekondat e fundit të ndeshjes zhvlerëson të gjithë mundin e bardhebluve që këte sezon kanë bërë lojën e tyre më të mirë me vlonjatet. Elektra Zykaj është siguria e Flamurtarit të Viron Toskës, sidomos kur kjo skuadër është në vështirësi. Madje gjithçka vjen nga duart e saj edhe atëherë kur duket se është në hije. Kështu ka ndodhur dhe dje në mesditë në sallën sportive “Fahrie Hoti” në kryeqyteti, atje ku Flamurtari për herë të parë në këtë sezon ka qenë në vështirë ndaj Tiranës.
Vetëm tre sekonda e gjashtë të dhjetat nga fundi i ndeshjes Tirana falë edhe një trepikëshi të Rezarta Hoxhajt është në epërsi 72-71. Ka gëzim tek bardheblutë, ndonëse Borova ka kërkuar qetësi tek ekipi për ta lënë harenë e fitores në përfundim të ndeshjes. Pushimi i tretë i trajnerit Toska orienton tjetër mënyrë loje për vlonjatet, sepse topi ishte në duart e basketbollisteve të Flamurtarit. Dhe nga vija anësore, atje ku topi është vënë në lojë, sfera ka përfunduar tek Zykaj, e cila për herë të parë e pambuluar nga kundërshtaret godet dhe saktësia është 100 %.
Trepikësh dhe nuk ka më kohë për përmbysje, ndërsa Flamurtari është fitues i ndeshjes 74-72 duke treguar edhe një herë se nuk ka kundërshtar. Në fakt Flamurtari e ka nisur mirë, ndërsa është shkëputur në 4-10. Tirana është gjithnjë në ndjekje të epërsi të vlonjateve, të cilat në përfundim të pjesës së parë është në epërsi të një pike, 17-16. Duket sikur me fitoren e pjesës së dytë, 17-26, Flamurtari e ka vënë nën kontroll ndeshjen, sepse është në udhëheqje të rezultatit 43-33. Por Eliverta Bujari merr përsipër gjithçka dhe deri në fund të ndeshjes shënon 35 pikë.
Që do të thotë gati gjysmën e pikëve të Tiranës. 19-7 e fiton Tirana pjesën e tretë dhe 52-50. Herë Flamurtari e herë Tirana janë në epërsi në pjesën e katërt. Por ngecja vjen nga ata që janë mësuar të fitojnë përherë. Zykaj dhe Flamurtari dinë përsëri të fitojnë, ndaj dhe kanë triumfuar dje në “Fahrie Hoti”, 74-72. Ndoshta Tirana gaboi përsëri teksa u përqendrua për të mbuluar vetëm Zykajn, sepse në krahun tjetër Palko, Kostallari, Plasa e Myrto shënojnë dhe fitojnë. E në të tilla kushte, Flamurtari vijon të mos ketë kundërshtar.
Dje kanë qenë të pranishëm “Fanatiksat” e rinj në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, të cilët kanë mbështetur, kanë hedhur shirita letrash, por dhe tymuese që e kanë ndotur ajrin e sallës. Ndërkohë dje ka qenë i pranishëm dhe presidenti i Federatës Evropiane të Basketbollit, Turgai Demirel, së bashku me Presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.
Tirana – Flamurtari 72-74
(16-17, 17-26, 19-7, 20-24)
Tirana: E. Bujari (35), A. Aliaj (14), Gjoni, G. Bujari (4), Hoxhaj (17) / Duqi, E. Aliaj (2). Trajner: E. Borova
Flamurtari: Palko (19), Myrto (5), Kostallari (14), Zykaj (16), Plasa (16) / D. Hasanaj (4), Rrapaj. Trajner: V. Toska
Gjyqtarë: G. Cici, A. Bejko (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Java e 16-të
(25-26 mars 2016)
Të premten:
Studenti – Kamza Basket 59-48
Të shtunën:
Tirana – Flamurtari 72-74
Vllaznia – Goga Basket 66-87
Skënderbeu – Elbasani 58-73
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 16 16 0 1237-989 32
- Goga Basket 16 12 4 1294-1026 28
- Tirana 16 10 6 1162-1104 26
- Vllaznia 16 9 7 1118-1067 25
- Studenti 16 6 10 915-1074 22
- Skënderbeu 16 6 10 1033-1136 22
- Kamza Basket 16 4 12 834-986 20
- Elbasani 16 1 15 1022-1197 17
https://www.facebook.com/100008936670435/videos/1524809311160277/