AlbanianSport.com 04.05.2017 08:50
ASNN – Flamurtari-Tirana do të luajnë sonte në Pallatin e Sportit në Vlorë, duke nisur nga ora 18:00, aktin e tyre të katërt për titullin “kampion” në basketboll për femra, në një ndeshje, e cila do të vijë për sportdashësit drejtpërsëdrejti dhe në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Flamurtari kërkon titullin “kampion”, ndërsa Elektra Zykaj, lojtarja më në formë e momentit për skuadrën vlonjate, konfirmon se në fushën e lojës do të kërkohet fitorja. Madje sipas saj në Tiranë nuk është toleruar, përkundrazi skuadra bardheblu është një kundërshtar i fortë dhe me shumë vlera.
“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe në Tiranë, – thotë Zykaj, – por unë them se Tirana ka një skuadër shumë të mirë. Mendoj se do të ishte e tepërt nëse Tirana do të humbiste këtë sezon me rezultatin 3-0. Humbja në kryeqytet ka ardhur për shkak të fajit tonë dhe askujt tjetër.”
“Nuk toleruam aspak, siç dhe mund të besohet e mendohet, – ka vijuar basketbollistja e kampioneve në fuqi të koshit shqiptar të femrave. – Tani dua që Pallati i Sportit në Vlorë të jetë plotë ditën e ndeshjes për të përkrahur Flamurtarin dhe së bashku të festojmë titullin kampion.”
“E meritojmë këtë titull për vetë sezonin që kemi zhvilluar, pavarësisht se e kemi përfunduar sezonin e rregullt në vendin e tretë. Ndeshjet në “play-off” dëshmuan se jemi ekipi më i mirë që e meritojmë këtë trofe”, – ka përfunduar basketbollistja e Flamurtarit dhe ekipit kombëtar.