AlbanianSport.com 11.02.2016 20:25
ASNN – Goga Basket është kthyer sot nga Maqedonia me një trofe dhe skuadra durrsake tashmë shkon në gjysmën e dytë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra me moral të lartë. Në gjysmëfinalen e turneut të zhvilluar dje dhe sot në kryeqytetit e Maqedonise, skuadra bregdetare, e drejtuar nga trajnerët Astrit Greva dhe Vladimir Xheka, kanë luajtur me siguri në vetvete, duke e fituar këtë gjysmëfinale ndaj vendaseve të ndaj KB Shkupit me shifrat 97-70 dhe duke siguruar vendin në finalen e sotme.
Duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com nëpërmjet komunikimit elektronik gjatë udhëtimit nga Shkupi në Tiranë, një udhëtim që duhet thënë se është kryer në një mot të pafavorshëm, ndihmëstrajneri i skuadrës durrsake, Vladimir Xheka, ka theksuar se ky ishte një turne i karakterizuar nga një organizim shumë serioz dhe me nivel. “Pavarsisht se ishte turne miqësor, duhet të mos harrojmë se tre prej ekipeve pjesëmarrëse e kanë mbyllur në vendet e dyta të renditjes gjatë fazës së parë të kampionateve përkatëse në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri”, – ka thënë Xheka.
“Për shembull, SIGAL Prishtina ka vetëm një humbje në kampionat deri më tani, atë kundër Pejës dhe, ndonëse ai i femrave nuk është në nivelin e meshkujve, basketbolli kosovar mbetet prapëseprapë i një niveli tjetër”, – ka shtuar Xheka. Në fakt, ndeshjen e parë gjysmëfinale, ajo midis KB “SIGAL Prishtinës” dhe KB Klubskit, ka qenë një sfidë e barazpeshuar, por ekipi nga kryeqyteti i Kosovës ka arritur të triumfojë me vetëm 3 pikë diferencë, 67-64. Goga Basket ka qenë e papërmbajtshme në finale përballë SIGAL Prishtinës.
Ekipi i drejtuar nga veterani Greva ka triumfuar me shifrat e thella 112-57 dhe duke bërë të vetën Kupën e kësaj veprimtarie. Sipas ndihmësit Xheka, skuadra durrsake u mobilizua tërësisht në këtë finale dhe kjo u pasqyrua edhe tek rezultati i lojës. “Mobilizimi ynë ishte maksimal dhe, për fatin tonë të mirë, edhe ekipi ishte sot në një ditë të mirë, – ka thënë ndihmësi i Grevës për AlbanianSport.com. – Duhet theksuar këtu edhe fakti se një aspekt pozitiv i këtij turneu ishte edhe aktivizimi, pas shumë ndeshjesh mungesë i Enxhi Xhanajt, e cila vinte pas një dëmtimi.”
Në fakt, lojtarja më e mirë e këtij turneu të zhvilluar në një atmosferë miqësore, u përzgjodh pikërisht nr. 7 i Goga Basket, Enxhi Xhanaj, e cila u nderua me medalje nga organizatorët. Duke reflektuar edhe mendimin e trajnerit Astrit Greva, i cili, sipas Xhekës ka mbetur i kënaqur nga vajzat, ndihmëstrajneri theksoi se këto dy sfida kanë qenë dy ndeshje të mira për skuadrën durrsake, ku të gjitha vajzat dhanë më të mirën e tyre, përfshi edhe ato që hynë në lojë si zëvendësuese. Tanimë, vëmendja e Goga Basket është zhvendosur tek Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra.