AlbanianSport.com 08/01/2018 12:30
ASNN – Trajneri i SH.K.B.F. Tiranës, Erdal Borova, tha se skuadra e tij e meritoi këtë fitore dhe se suksesi i fundit i jep avantazhe psikologjike, por edhe pikët e mjaftueshme që të kontrollojë garën dhe të mos e lëshojë kreun.
Duke folur pas fitores 84-78 rivales bardheblu, të drejtuar nga homologia Mirza Alibegaj, ai tha se epërsia e krijuar shërben për javët e tjera të garës. “Ky sezon ka nisur mjaft mirë për skuadrën tonë”, – tha Borova.
“E mbyllëm fazën e parë me 5 fitore dhe pa asnjë humbje, – ka vijuar ai. – Gjithashtu, arritëm ta nisim edhe fazën e dytë në mënyrën më të mirë, duke marrë një fitore ndaj një rivali direkt si SH.B.F. Tirana.”
“Megjithatë, kampionati është i gjatë dhe ekipi ka vend të përmirësohet, sidomos në aspektin mbrojtës, – theksoi Borova. – Kemi krijuar një epërsi të mirë, që do të na shërbejë edhe për javët e ardhshme.”
“Dua t’i uroj vajzat për shpirtin e garës që treguan në fushë dhe që për asnjë moment nuk ia dorëzuan lojën kundërshtareve dhe nuk i dhanë asnjë shans për ta fituar lojën”, – ka përfunduar trajneri i SH.K.B.F. Tiranës, Erdal Borova.