AlbanianSport.com 13/11/2018 17:30
ASNN – Toska e pranon hapur: Shqipëria s’ka asnjë shans të fitojë në grup, rivalët nivel botëror. Të shtunën në orën 17:00, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” pranë “Parkut Olimpik të Tiranës”, skuadra kombëtare e basketbollit të femrave do të presë përfaqësuesen e Hungarisë, në kuadër të grupit C të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian.
Mbeten dhe dy ndeshje deri në fundin e eliminatoreve, me Hungarinë më 17 nëntor dhe me Lituaninë 4 ditë më pas dhe Shqipëria e koshit është në vend të fundit me 4 humbje e asnjë fitore deri tani, duke qenë mjaft larg edhe në pikëaverazh me rivalet e saj. Dhe trajneri i Kombëtares së basketbollit të femrave, Viron Toska, pranoi se disnivelet midis skuadrës tonë dhe ekipeve të tjera të grupit C janë mjaft të mëdha.
I gjendur në Korçë me përfaqësuesen kuqezi të koshit të femrave, ku po kryejnë grumbullimin dhe përgatitjen për ndeshjen e radhës, Toska pranoi se për Shqipërinë nuk bëhet fjalë për fitore, por vetëm për paraqitje dinjitoze. Diferencat sipas tij janë të mëdha e nuk kanë nevojë për koment. Por, duke folur për mediat sportive shqiptare ai ka premtuar se skuadra do të bëjë më të mirën e saj.
Dhe se dhe do të përpiqet të marrë besimin dhe dashurinë e spektatorëve që do të vijnë ta ndjekin. “Jemi në një grup jashtëzakonisht të fortë, – u shpreh Toska për të përditshmen në fjalë, – me kundërshtarë të një niveli botëror, megjithatë, ne do të bëjmë më të mirën tonë në këto ndeshje, ku do të kërkojmë të zhvillojmë një lojë sa më të mirë, të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze të basketbollit tonë.”
“Nuk pretendojmë kurrsesi të fitojmë përballë këtyre kundërshtareve (Hungarisë dhe Lituanisë) që kemi në grup, – vijoi Toska, – pasi do të ishte çmenduri edhe ta mendonim diçka të tillë. Sidoqoftë, ne do të japim më të mirën tonë në fushë për të kënaqur ata që na mbështesin.”
Eliminatoret e “Eurobasket 2019”
Basketboll – Femra
Grupi C
Ndeshjet e zhvilluara nga Shqipëria:
Data Ndeshja Rezultati
11.11.2017 Shqipëri – Rusi 37-122
15.11.2017 Hungari – Shqipëri 137-48
10.02.2018 Shqipëri – Lituani 61-119
14.02.2018 Rusi – Shqipëri 148-35
17.11.2018 Shqipëri – Hungari (17:00)
21.11.2018 Lituani – Shqipëri (18:30)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Rusi 4 4 0 8
- Hungari 4 3 1 7
- Lituani 4 1 3 5
- Shqipëri 4 0 4 4