AlbanianSport.com 21/12/2018 17:05
ASNN – Përmirësimi i rezultateve të Flamurtarit në basketboll për femra gjatë javëve të fundit, është dëshmi e një ripërtëritje të fortë në një kohë të shkurtër, duke kaluar jo vetëm krizën por njëherësh duke rritur pretendimet edhe për këtë edicion. Nën drejtimin e trajnerit Viron Toska, Flamurtari e kishte premtuar këtë rikthim dhe fitorja e fundit me SH.K.B.F Tiranën e trajnerit Erdal Borova. Nuk ishte thjesht hakmarrje për disfatën që vajzat bardheblu i kishin shkaktuar në fazën e parë në Vlorë.
Por ishte një fitore që e afron me kryesuesit dhe tani lakmon vendin e parë. Me një merkato të fortë në janar, sikurse kanë pretenduar, Flamurtari mund të kthehet si pretendent kryesor për titullin. Në fillim të sezonit nuk e morën seriozisht, e quajtën të mbaruar skuadrën e trajnerit Toska. Por ecuria e javëve të fundit dhe qëndrueshmëria bindin që Flamurtari është ende i fortë dhe një pengesë për skuadrat e tjera që të arrijnë maksimumin.
Ndërkohë, humbja e parë e SH.K.B.F. Tiranës në javën e 10-të të Kategorisë së Parë, dëshmoi se nuk ka asnjë skuadër të pathyeshme. Ajo që mund të shihet me skepticizëm ka lidhje me skuadrën kryeqytetase, që pretendon se nuk financohet dhe stërvitet në një fushë shkolle për shkak të pamundësive. Në një dalje në median e shkruar sportive të para pak ditëve të kapitenes Erta Bujari vihej në diskutim e ardhmja e skuadrës, teksa bëhej thirrje për ndihmë nga sponsorët.
Edhe pse SH.K.B.F Tirana mban ende vendin e parë me 19 pikë, afrimi i Flamurtarit në vend të dytë me 17 pikë, pra vetëm dy pikë më pak, jo vetëm ka hapur garën për kreun, por njëherësh ka rikthyer vlonjatet si favorite, ndërsa për Tiranën e Borovës duket se ka shenja krize të një natyre financiare. Sidoqoftë, merkato e dimrit mund të prodhojë surpriza, pasi të gjitha ekipet pretendojnë të bëjnë goditje në treg me lojtare të huaja. E thënë ndryshe, Flamurtarit, duket se po i buzëqesh sërish fati.
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp +/- Pikë
- SH.K.B.F. Tirana 10 9 1 867-674 193 19
- SH.B.F. Tirana 10 7 3 794-613 181 17
- Flamurtari 10 7 3 764-666 98 17
- Vllaznia 10 5 5 665-724 -59 15
- Studenti 10 2 8 602-780 -178 12
- Elbasani 10 0 10 612-867 -245 10