Gjergj Vyshka 05.05.2016 09:35
Eliverta Bujari, edhe pse jo në formën e saj maksimale, dhe Rezarta Hoxhaj janë shtytëse për skuadrën për të marrë këtë trofe të munguar. Tashmë me një mendje edhe titullin “kampion”, por duhet shmangur Goga Basket. Në fakt nuk ka qenë një finale ndër më të mirat e asaj që mund të mendohej mes Flamurtarit dhe Tiranës. Sepse edhe dueli i dy lojtareve më të mira të të dy skuadrave, Elektra Zykajt në një anë dhe Eliverta Bujarit në anën tjetër, kjo në gjuajtjet për 3 pikë, është ndarë barazim.
Tre për secilën lojtare dhe loja nuk ka atë bukuri që të japin trepikëshat, ndonëse për vlonjatet një gjuajtje e saktë e tillë ka ardhur nga Myrto. Luhet pikë më pikë aq sa në përfundim të dy pjesëve të para gjithçka është e barabartë, 35-35, me nga një pjesë të fituar për secilën skuadër. Të parën Flamurtari 19-18 dhe të dytën Tirana 16-17. Ka dhe momente tensioni mes Hoxhajt dhe Myrtos e lojtarja bardheblu është ndëshkuar me gabim teknik.
Ndërkohë Eliverta Bujari nuk është në ditën e saj më të mirë, ndërsa nuk arrin të dalë plotësisht në lojën e saj. Për rrjedhojë ka hera-herës ulje të saj në stol, ndërsa zëvendësohet nga e reja Tea Jaçe, e cila me katër pikët e shënuara e ka justifikuar besimin e trajnerit Borova, ndonëse në stol kishte dhe të tjera alternativa. Për t’u evidentuar, si Toska, ashtu dhe Borova pak kanë bërë zëvendësime duke besuar nga fillimi deri në fund në 5-shet e tyre fillestare.
Tirana luan mirë pas pushimit e për rrjedhojë ka arritur të shkëputet deri në 11 pikë diferencë, ndërsa në fillimin e pjesës së katërt kryeson 46-57. Për t’u theksuar është fakti se Tirana e kishte fituar pjesën e tretë 9-16 dhe kishte kryesuar 44-51. Depërtimet e shpeshta të Eliverta Bujarit kanë dhënë atë epërsi të bardhebluve, por që në fakt skuadra hyn në panik. Jo vetëm kaq, por ngarkohet në gabime personale, ndërsa në një moment të lojës janë numëruar 9 faulla për Flamurtarin dhe 19 për Tiranën.
Dhe për rrjedhojë Gera Bujari është e para që lë fushën e lojës me 5 gabime personale. E sikur të mos mjaftonte ky fakt, Eliverta Bujari në një depërtim në zonën e Flamurtarit, teksa nuk ka arritur të shënojë, në rënie e sipër ka shkelur keq. E për rrjedhojë është përmbysur mbi parket, ndërsa loja nuk është ndalur e në kundërsulm shënon Myrto. Menjëherë ndërhyrja e masazhatorit të Tiranës, Sabahat Kastrati, por duket e pamundur për ta kthyer në lojë kapitenen e bardhebluve.
Toska orienton presingun, por dhe mbajtjen dhe qarkullimin sa më shumë të topit dhe gjetjen e mundësisë për të goditur. 50-57, 53-57, 53-59. Zykaj tenton disa herë të godasë për tre pikë, por topi nuk i bindet duarve të saj. Tirana ka qetësinë e pjekurinë e Komtit, por dhe Hoxhajt, Aliajt, Jaçes e Gjonit për të mbajtur topin derisa sekondat të shkojnë 0:00. Vërshëllima e fundit e Cicit, Koçit dhe Hoxhës ka shpërthyer festën e Tiranës, e cila në fakt ka më shumë se katër vjet që pret një trofe.
Flamurtari – Tirana 53-59
(19-18, 16-17, 9-16, 9-8)
Flamurtari: Kostallari (18), Zykaj (13), Plasa (6), Palko (9), Myrto (7) / Hysaj. Trajner: V. Toska
Tirana: E. Bujari (18), G. Bujari (9), Hoxhaj (18), Aliaj (4), Komti / Gjoni (6), Jaçe (4) Trajner: E. Borova
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi, G. Hoxha (Tiranë)