AlbanianSport.com 04.10.2015 14:35
ASNN – Në Korçë gjyqtarët mbërrijnë 30 minuta me vonesë, por në fund ka festë sepse fiton skuadra korçare. Kampionati i ri në basketboll për femra ka nisur dje me një surprizë, teksa Skënderbeu ka mposhtur Tiranën pretendente dhe me këtë start duhet thënë që korçaret kanë treguar se edhe ato janë një ekip pretendent. Por duhet thënë se gjyqtarët kanë prishur disi këtë start, teksa në Korçë kryeqytetasit Dulçe dhe Tiko kanë mbërritur 30 minuta me vonesë, edhe pse duhet theksuar se ndeshja luhej në orët e pasdites.
Por kronometri i të dy kryeqytetasve pas nisjes nga Tirana nuk ishte llogaritur siç duhet. Pavarësisht kësaj, ndeshja e djeshme ka dhuruar spektakël nga fillimi deri në fund, ndërkohë që Eda Llazari, basketbollistja më e mirë e Skënderbeut, ka mundur së bashku me Gerta Gjikën Tiranën. E para shënoi plot 39 pikë, ndërkohë që Gjika 14 pikë. Ndeshja ka nisur me kryesimin e Tiranës deri në pikën e 9-të, ndërkohë që rezultati më pas shkon në 11-9 për vendaset dhe barazohet 14-14. Pas këtij momenti janë korçaret që shënojnë edhe 4 pikë dhe mbyllin pjesën e parë 18-14 në favorin e tyre.
E dyta nis përsëri mirë për Skënderbeun, që thellon shifrat në 25-18, por në këtë moment në fushë futet basketbollistja 43-vjeçare dhe me mjaft përvojë Komti, e cila sjell edhe ndryshim në shifra. Pas 20 minutave të para rezultati barazohet në 30-30. U duk se pas pushimit gjithçka do të ndryshonte në favor të kryeqytetasve dhe kështu ndodhi vetëm në pjesën e tretë, teksa Tiranan e fiton 17-20 dhe në 30 minuta lojë tabela shënon 47-50 për Tiranën.
Kaq ka mjaftuar që Skënderbeu në 10 minutat e fundit të zgjohet dhe të zhvillojë një pjesë fantastike me Eda Llazarin në krye që nuk mbahet me 3-pikësha. 50-50 ka qenë rezultati i fundit i barabartë, ndërkohë që më pas shifrat sa vijnë edhe thellohen e në fund 72-59 për Skënderbeun, ndërsa lojtarja më e mirë ka qenë Eda Llazari, jo vetëm për 39 pikët e shënuara, por dhe 8 trepikëshat e saj.
Skënderbeu – Tirana 72-59
(18-14, 12-16, 17-20, 25-9)
Skënderbeu: Haris (4), Doja (7), Llazari (39), El. Papa (8), Gjika (14) / S. Papa, Pëllumbi, Toska, Aliu, Sholla, Jahollari, Hysenllari. Trajner: Emil Papa
Tirana: Gjoni (4), E. Bujari (5), G. Bujari (16), Komti (9), A. Aliaj (15) / Duqi, Jaçe, Huta, Hoxhaj, Beleshi, E. Aliaj, Nelaj. Trajner: E. Borova
Gjyqtarë: A. Dulçe, E. Tiko (Tiranë)