AlbanianSport.com 20/04/2019 20:15
ASNN – Krahas ndeshjeve të “play-off”-it për titull, në basketbollin e femrave ka dhe një duel “play-out”-i, ku Studenti, që e mbylli në vend të parafundit në renditje edicionin e rregullt basketbollistik, përballet me Apoloninë, skuadër që u rendit në vend të dytë në nivelin inferior. Me pak fjalë, është një duel për skuadrën që do të luajë në elitë, pra nëse Studenti do të mbetet pjesë e kampionatit, apo vendin e tij do ta zërë Apolonia.
Dueli i së shtunës u luajt në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe u fitua me rezultat bindës 101-67 nga Studenti. Ishte një fitore domethënëse në këtë rrugëtim për të mbetur në elitë, por që të mbetet pjesë e më të mirave Studenti duhet të fitojë edhe duelin e kthimit me fieraket, duel që do të luhet më 23 prill në Vlorë. Sa i takon ndeshjes së parë, Studenti bëri një diferencë të madhe, veçanërisht në çerekun e parë të lojës.
Të cilin e fitoi me shifrat 27-9. Fieraket reaguan në 10-minutëshin e dytë, duke rivalizuar mjaft dhe në fund ia dolën ta fitojnë këtë pjesë me shifrat 34-28. Por Studenti do të merrte dhe një herë rolin e protagonistit në çerekun e tretë, që e fitoi me shifrat 22-11 dhe atë e katërt dhe të fundit, që e mori me shifrat 24-13. Një fitore e thellë 101-67 që tregon diferencë midis dy skuadrave.
Por asgjë nuk ka përfunduar, pasi duhet pritur edhe dueli i kthimit. Nëse fiton Studenti, atëherë merr fund ëndrra e Apolonisë për t’u ngjitur në elitë dhe Studenti mbetet pjesë e më të mirave. Nëse fitojnë fieraket, atëherë rezultati shkon 1-1 me fitore dhe do të duhet të luhet takimi e 3-të dhe i fundit në kryeqytet për të përcaktuar skuadrën që do të luajë me më të mirat e basketbollit të femrave në Shqipëri.