AlbanianSport.com 08/07/2019 12:30
ASNN – Triumfon 86-66 në finalen e madhe e koshit kontinental ndaj Francës. Kampionatit Evropian të Basketbollit për Femra, një tjetër veprimtari madhore sportive që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka luajtur të dielën finalen e tij të madhe. Franca është mundur nga Spanja me shifrat bindëse, 86-66, dhe iberiket kanë mbrojtur me sukses kurorën e më të mirës së kontinentit, të fituar pas dy vitesh.
Ishte cilësuar si një përqasje me historinë dhe ajo që e ka rishkruar atë ka qenë Spanja, e cila ka triumfuar në finale të Evropianit të Basketbollit të Femrave ndaj Francës me shifrat 86-66, në takimin e zhvilluar në kryeqytetin e Serbisë, Beograd dhe, sikundër e gjithë kjo veprimtari, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, ka qenë një duel fqinjesh finalja e madhe e këtij kampionatit dhe Franca synonte të shmangte për të 4-herë radhazi ngushëllimin me një medalje të argjendtë, pasi kishte dështuar në finalen e 2013-ës, të 2015-ës dhe të 2017-ës.
Për fatin e keq të francezeve, ka ndodhur sërish kështu, ndërsa Spanja, që erdhi si kampione në fuqi, ia doli të bëjë atë që asnjë skuadër nuk ka arritur ta bëjë në këto thuajse 30 vitet e fundit. Në atë që ishte një përsëritje e finales së 2013-ës dhe 2017-ës, spanjollet kanë rikonfirmuar supremacinë e tyre në koshin evropian të femrave. Francezet synonin të ngjiteshin në shkallën më të lartë të podiumit pas mëse një 10-vjeçari.
Kurse fituesja në fuqi, Spanja, ia ka arritur të sfidojë historinë, duke u bërë e para skuadër, që nga viti 1991, që ka arritur ta mbrojë me sukses titullin e fituar në edicionin paraardhës. Në fakt, finalja ka qenë rrugë me një kalim, pasi iberiket kanë udhëhequr nga fillimi deri në fund, duke e mbyllur ndeshjen me një epërsi të thellë. Fati i kësaj përballjeje është vendosur praktikisht që në 20 minutat e para, teksa Spanja e fiton pjesën e parë 32-21, duke vijuar të marrë edhe të dytën 18-15.
Dhe duke shkuar kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 14 pikë epërsi, 50-36. Pjesa e 3-të do të jetë e luftuar dhe kësisoj do të mbyllet në barazpeshë të plotë, 20-20, ndërsa 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit, ka qenë më tepër një formalitet, pasi francezet duken të dorëzuara, ndërsa Spanja e fiton atë me shifrat 16-10, dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 86-66. Spanjollet fitojnë kështu për të 4-tën herë titullin e kampiones së Evropës dhe 3-tin në këto 6 vitet e fundit.