Adriatik Balla 09.09.2015 16:50
Absurditetet në Shqipëri nuk kanë të sosur. Ato vijnë nga shumë fusha dhe sporti nuk mund të bëjë përjashtim. Së fundmi vjen një lajm tejet skandaloz, për shkrirjen e skuadrës së Apolonisë së basketbollit të femrave. Kjo skuadër kishte krijuar një emër të mirë ndër vite dhe ishte fituese e disa trofeve të rëndësishëm kombëtar, por Bashkia e Fierit e shpërbeu grupin, madje duke e cilësuar vendimin e saj çuditërisht të drejtë.
Në kohën kur qeveria bën thirrje për më shumë vëmendje ndaj sportit dhe kur vetë politikat zhvillimore në sport insistojnë për krijim ekipesh të reja dhe gjetjen e mundësive për të mbështetur dhe angazhuar të rinjtë e të rejat në sport, nga Fieri vjen një vendim sa absurd, po aq dhe skandaloz, gjë që nuk i shërben zhvillimit të sportit jo vetëm në Fier, por gjithkund në Shqipëri.
Për këtë vendim, i cili ka hedhur në rrugë sportistet dhe stafin teknik, ka reaguar edhe skuadra dhe trajneri Astrit Greva, duke thënë se vendimi i marrë nuk është menduar si duhet dhe ky vendim nuk i shërben sportit në Bashkinë e Fierit, përkundrazi, qyteti do ta vuajë për shumë vite. Ekipin e shkrinë pa u thënë asnjë fjalë sportisteve dhe stafit teknik, gjë që dëshmon për një vendim jashtë çdo lloj parimi moral e në dëm të interesit të përbashkët.