Gjergj Vyshka 25.02.2016 07:55
Shqipëria e basketbollit të femrave është një skuadër 40 pikëshe dhe jo më shumë, ndërsa në ndeshjen e katër eliminatore të Kampionatit Evropian 2017 nuk ka mundur dot ta shmangë humbjen. Përballë ka pasur Italinë, e cila më 21 nëntor të vitit të kaluar në Luka na ka mundur me 83 pikë, ose më saktë 38-121. Por dje gjërat kanë qenë më ndryshe, ndonëse dominimi i të kaltërve ka qenë i dukshëm në parketin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Myrto, Zykaj dhe Eliverta Bujari janë munduar ta mbajnë në lojë skuadrën tonë, e cila duhet thënë se në sulm ka humbur disa gjuajtje me vlerën e dy pikëve, edhe duke qenë poshtë koshit.
Ajo që ka bërë diferencën për vajzat tona janë trepikëshat. Madje me dy të Eliverta Bujarit dhe një të Elektra Zykajt, ndërsa pjesa e parë kishte përfunduar në favor të Italisë, 8-19, Shqipëria është afruar deri në nëntë pikë diferencë, 17-26. Por vetëm kaq. Italia e ka mbyllur pjesën e dytë 16-27 dhe në pushim ka shkuar në dhomën e zhveshjes me epërsinë prej 22 pikësh diferencë, 24-46. Për t’u evidentuar është fakti se trajneri i mikeshave, Andrea Kapobianko, i ka aktivizuar të gjitha lojtaret. Dhe në fakt basketbollistet e ardhura nga stoli të tilla si Sotana, Zandalasini dhe Bestanjo nuk e lënë kombëtaren kuqezi të marrë frymë.
Përdoret presingu e jo rrallëherë Shqipëria ka pasur vështirësi për të dalë nga zona e vet. Italia fiton pjesën e tretë 6-22 dhe thellon në 30-68. E katërta është një administrim i epërsisë nga të kaltrat, ndërsa ajo që duhet theksuar është fakti se ka qenë Borova ai që ka shfrytëzuar tre pushimet e tij, ndërsa Kapobianko, edhe pse ndonjëherë ka qenë i nxehur me veprimet e vajzave që drejton, nuk e ka pasur të nevojshme për të bërë pushime. Sepse Italia e ka dominuar dhe administruar ndeshjen sipas dëshirës së vet. Ndaj dhe në fund ka fituar me 46 pikë diferencë, 40-86, ndërsa kjo ndeshje mund të konsiderohet si më e mira e kombëtares së të rriturave të Shqipërisë në këto Eliminatore.
Shqipëri – Itali 40-86
(8-19, 16-27, 6-22, 10-18)
Shqipëria: Zykaj (12), E. Bujari (13), Aliaj, Xhanaj (2), Myrto (7) / Lalaj, Gjoni (2), G. Bujari (2), Dashja, Qypi (2). Trajner: E. Borova
Italia: Doto (6), Mashiadri (2), Gorini (9), Roza (8), Maki (8) / Konsolini (4), Sotana (14), Zandalasini (14), Nadalin (4), Bestanjo (12), Taljamento. Trajner: A. Kapobianko
Gjyqtarë: B. Vasalo (Maltë), I. Poljansek (Slloveni), O. Jalman (Turqi)