AlbanianSport.com 22.10.2015 20:00
ASNN – Trajneri i Vllaznisë në basketboll për femra, Rajmond Rasha, thotë se skuadra e tij edhe këtë sezon nuk e nis mirë sa i përket anës financiare. Nga Vllaznia janë larguar 4 lojtare këtë sezon, ndërsa trajneri shprehet se, në mënyrë që të mos bëhen shitëse, duhet që të rritet fondi. “E nisëm mirë sezonin teksa morëm një fitore në fushë të huaj, në ndeshjen e parë, – ka theksuar ai për të përditshmet sportive shqiptare. – Më pas humbëm dy ndeshje radhazi. Këto humbje na kushtëzojnë pak për të hyrë në fazën e “play-off”-it.”
“Kushtet ekonomike që kemi ne si skuadër na kanë bërë që të mbesim me 6 lojtare, – ka vijuar trajneri. – Jemi detyruar që të marrim 4 lojtare nga ekipi i të rejave para kohe. Këtë shkallë vështirësie kemi se nuk na bëhen 10 basketbolliste që të bëjmë një ndeshje normale. Bëjmë stërvitje më shumë pa lojë se nuk kemi mjaftueshëm lojtare. Kur futemi pastaj në lojë, jemi krejt të papërgatitur. Dyshe-treshe lojtaret nuk është se janë të papërgatitura, por në 5-she kemi vështirësi. Shpresojmë që të rritet fondi në mënyrë që basketbollistet të mos bëhen shitëse.”
“Shpresojmë që me Bashkinë e re dhe me një kryetare e re në vitin 2016, kur të bëhet buxheti i ri, gjërat të ndryshojnë, sepse në të kundërt nuk mund të ecim përpara”, – shprehet Rasha. Duke folur për ndeshjen e fundit me Tiranën, trajneri i Vllaznisë lë të kuptohet se elementi i ri ka cilësi, por largimet në çdo sezon ndikojnë në lënien e ekipit në këtë situatë jo shumë të mirë.
“Ishte një ndeshje me një kundërshtar që është më i mirë se Vllaznia, plus kësaj luajtëm me 6 basketbolliste sepse kaq kishim, – ka thënë Rasha. – E nisëm lojën jo mirë sepse Tirana aktivizoi lojtaren e re në dy periodat e dyta. Po ta shikojmë me kujdes gjysmën e dytë të lojës, e ka fituar Vllaznia, por Tirana është më e kompletuar se ka skuadrën e plotë, ndërsa ne kemi mangësi të theksuara. Ne gjithmonë mbetemi në kampionat skuadra më e re dhe nuk e kemi mbështetjen e duhur, sepse janë vetëm 6 vajza te Vllaznia.”
Në këtë fillim kampionati, Vllaznia e nisi me fitore me Kamza Basket, por më pas pësoi dy humbje radhazi, përballë Studentit dhe Tiranës.