Për trajnerin e Vllaznisë, Rajmond Rasha, eliminimi nga gjysmëfinalja e “play-off”-it nuk është ndonjë surprizë. “Luajtëm përballë skuadrës më të mirë, kampione në fuqi dhe pretendente edhe për sivjet, – ka thënë ai. – Edhe pse patëm një fillim të mirë, eksperienca dhe përvoja e kundërshtari bëri të veten duke dalë fitues. Objektivi ynë ka qenë për t’u futur në katërshen më të mirë të “play-off”-it, gjë që ia arritëm.”
“Por duke pasur përballë një skuadër të tillë të fuqishme si Flamurtari e kishim të vështirë t’i kalonim, – ka vijuar ai. – Po kalojmë probleme të vështira në aspektin financiar, nuk shtyhet më me këtë situatë. Ndaj kërkojmë që nga ana e Bashkisë Shkodër të kemi më tepër vëmendje për sezonin e ardhshëm sportiv për të mbështetur këto vajza të me moshë mesatare të re dhe me perspektivë.”
Ndërsa homologu i tij, trajneri vlonjat, Viron Toska, pohoi se midis dy skuadrave ekzistonin diferenca në shumë drejtime. “Flamurtari i vlerësoi të dyja ndeshjet gjysmëfinale me Vllazninë, ku sidomos këtu në Shkodër luajti mjaft mirë dhe për këtë duhen përgëzuar kjo skuadër me basketbolliste të reja, që në këtë kampionat në përgjithësi ka zhvilluar lojëra shumë të mira”, – tha ai.
“Normale që duke krahasuar edhe në mbështetjen financiare të skuadrave, apo dhe kualitetet që ka skuadra e jonë, Flamurtari ishte favorit duke i fituar të dyja ndeshjet, gjë që na kualifikoi me meritë në finale. Vllaznisë i uroj suksese”, përfundoi trajneri i Flamurtarit, Viron Toska, i cili ka shtuar se objektivi tashmë dihet dhe është marrja e titullit “kampion”.