AlbanianSport.com 03.06.2016 14:35
ASNN – Pasi kanë siguruar titullin e 4-t radhazi, kanë folur edhe protagonistet e suksesit vlonjat. “Ky ishte trofeu i 11-të kampion me Flamurtarin dhe ka një rëndësi të veçantë, pasi vjen në një moment që rrëzon poshtë çdo aludim të keq ndaj nesh, – ka thënë Migena Plasa. – Treguam se dimë të fitojmë kudo dhe ndaj çdo kundërshtari dhe e besoj se edhe atë luajnë kundër nesh e kanë kuptuar.”
“Është një titull që tregon se ne jemi Flamurtari dhe nuk ngopemi me trofe”, – ka përfunduar kapitenia vlonjate. Ndërsa shënuesja më e mirë, Elektra Zykaj, tha: “Është titulli i katërt i imi, por me sinqeritet them se është më i bukuri. Sepse kështu kemi rrëzuar çdo fjalë dashakeqe ndaj nesh.”
“I sollën gjyqtarët me vete, por ne fituam edhe ndaj tyre, sepse dëshmuam që jemi Flamurtari, – ka vijuar ajo. Një trofe i veçantë, por nuk mbahem dot nga emocionet”. Ndërsa basketbollistja tjetër, Artemida Myrto, e ka cilësuar këtë triumf një fitore e mrekullueshme dhe një trofe i jashtëzakonshëm.
“Të gjithë kanë meritën maksimale për këtë trofe dhe duhet të jemi të kënaqur sot që ngremë këtë titull ‘kampion”, – ka thënë me tej basketbollistja e Flamurtarit. – Pavarësisht se nuk na donin dhe na sulmuan ne treguam se kush jemi. Jemi plotësisht “kampion”.”