AlbanianSport.com 03.06.2016 11:35
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka theksuar se Flamurtari e meritoi titullin “kampion”. “Është mbyllur suksesshëm një sezon në basketbollin e femrave me fitoren e merituar të Flamurtarit”, – ka deklaruar kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar.
“Një ndeshje që për herë të parë u gjykua nga gjyqtarë të huaj, – ka vijuar ai. – I uroj suksese Flamurtarit dhe përgëzoj Goga Basket për rivalitet. Tashmë nis një erë e re për Federatën Shqiptare të Basketbollit, që është përzgjedhja dhe konkurrimi i ekipeve kombëtare.”
Ndërsa trajneri i Flamurtarit, Viron Toska, nuk e ka kapërdirë faktin e gjyqtarëve të huaj, duke theksuar se “jemi kampion edhe me Federatën kundër”. “Për një trajner emocionet nuk mungojnë asnjëherë, por ky trofe sot është i veçantë”, – ka pohuar trajneri vlonjat pas triumfit.
“I kemi treguar dhe Federatës se, pavarësisht se ka punuar kundër nesh, Flamurtari di të fitojë gjithmonë, – ka theksuar ai. – Vendosën gjyqtarë të huaj pa na konfirmuar asgjë neve si ekip, por dhe kjo tentativë nuk u eci. Sot ne gëzojmë titullin kampion, sepse jemi skuadra më e mirë në vend.”
“Një ekip që pushon pak, ndaj dhe dominojmë. Jam shumë i lumtur për këtë fitore dhe përkrahjen e publikut, të Kryetarit të Bashkisë, Dritan Leli, dhe Kryetarit të Komisionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj”, – ka përfunduar trajneri i kampioneve të Shqipërisë në basketboll për femra, Viron Toska.