Olgert Serani 02.12.2016 22:05
ASMM – Kupa e Shqipërisë në basketbollin e femrave shkoi për Flamurtarin edhe për këtë vit, i 18-ti në histori.
Në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptar, “Panorama Sport”, kapitenia e vlonjateve, Migena Plasa, analizon suksesin ndaj Goga Basket, njëherësh konfirmon objektivat e radhës.
AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë intervistën e veteranes vlonjate të koshit dhe sot është pjesa e dytë, kurse e para ishte dje.
…Vijon nga dje
– Kupa uli siparin, por në kampionat beteja po shkon shumë e fortë…
– Kjo ka ndodhur sepse ne nuk jemi ndeshur me njëra-tjetrën. Pra, të tria ekipet që ndajnë vendet e para, Flamurtari, Goga Basket dhe Tirana, nuk kanë luajtur mes tyre. Dhe këto tri javë që kanë mbetur do të ndajnë më saktë vendin e parë për fazën e parë.
– Duelin e parë me rivalin direkt për trofeun më të rëndësishëm të sezonit e keni fituar. Cilat janë pritshmëritë për në vazhdim?
– Për ne nuk është asnjëherë herët, sepse objektivat i përcaktojmë pa filluar kampionati, që kur fillon faza përgatitore. Në fakt dihen objektivat e Flamurtarit janë gjithmonë të njëjta, të marrë çdo trofe të mundshëm. Në vazhdim kemi si synim Superkupën dhe kampionatin. Përfitoj nga rasti të falënderoj kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, për kontributin e tij maksimal.
– Në çfarë niveli është basketbolli i femrave këtë sezon?
– Mos harrojmë këtu që edhe Tirana ka bërë dy blerje, ka marrë dy lojtare malazeze. Gjykoj se e rrisin në njëfarë mase nivelin dhe cilësinë e basketbollit të femrave. Besoj se kjo i bën mirë basketbollit shqiptar. Eksperienca që këto lojtare sjellin nga vendet e tyre vlen mjaft.
Cili është komenti juaj për përfaqësimin e Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Evropian?
– I kam ndjekur me vëmendje ndeshjet. Mendoj se kishte vend për paraqitje akoma më të mira. Dhe nuk jam pajtuar asnjëherë me rregullin që vendosi federata që në kombëtare nuk do të kishte lojtare mbi 30 vjeç. Kjo kuptohet nuk ka të bëjë fare në aspektin personal, sepse unë kam dhënë dorëheqjen nga ekipi kombëtar që në 2010-n për të mos u rikthyer më. Por ka lojtare të tjera, të cilat, pavarësisht moshës që mund të jenë të 33-34 vjeç apo 36 vjeç, mendoj se do i jepnin shumë asaj kombëtareje dhe do të plotësonin disa boshllëqe që janë krijuar me diferencat e moshave dhe me ndryshimin e brezave në basketboll. Rregulli që u vendos nga federata për mua ishte diskriminues dhe nuk solli asgjë të mirë, sepse ato lojtare me eksperiencë do të ishin lidere në skuadër për të bërë maksimumin edhe lojtaret e tjera në mbështetjen e tyre.
– A është kjo pjesëmarrje pasqyrim i kampionatit shqiptar?
– Në njëfarë mase është pasqyrim. Lojtaret e moshës nën 30 vjeç përbëjnë edhe kampionatin shqiptar. Dhe është për të ardhur keq. Por shpresoj që me këto pjesëmarrje të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare si për ekipin e të rriturave apo edhe për moshat niveli do të rritet.