Gjergj Vyshka 24.02.2016 11:10
Sekretari i Përgjithshëm i FSHB-së: “Ne ato që kishim në dorë i bëmë duke ia bërë gati plotësisht sallën sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët, vajza duhet të japin më të mirën e tyre në mënyrë që të shmangin disfatat e thella”. E vërteta është se Federata Shqiptare e Basketbollit e ka ndërruar tri herë sallën e ndeshjes me Italinë, gjithnjë në kërkim të një mjedisi që do të kishte dhe do të ketë gjoba minimale nga ndërkombëtarët.
Fillimisht është konfirmuar Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, atje dhe ku do të luhet sot. Më pas është kërkuar Shkodra, por në fund dhe Durrësi, atje ku italianët kërkuan më parë pamje të pallatit. Dhe përfundimisht u la “Asllan Rusi”. Për ta bërë një sallë të përshtatshme sipas kërkesave të ndërkombëtarëve, koshat dhe aparaturat kanë ardhur nga Fieri, atje ku ishin planifikuar me idenë e ndërtimit të Pallatit të Sportit, dhe tashmë pritet që të japi përshtypjet e tij komisari i ndeshjes.
“Ne jemi munduar ta bëjmë sallën ashtu si duhet. Nëse do të kemi gjoba apo jo, varet nga ajo që do të shkruajë i dërguari i Federatës Evropiane. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë”, – është shprehur nr. 2 i organizmit që qeveris basketbollin shqiptar, Korab Llazani, i cili me humor ka thënë: “Nëse do ta ketë lapsin e hollë dhe mund të na falë, po e pati të trashë, e “hëngrëm””. Sidoqoftë, tashmë është gjithçka gati për sfidën ndaj Italisë, sot në ora 18:00, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.