AlbanianSport.com 23/01/2024 15:30
ASNN – Edhe pse duhej të niste në vjeshtë, Liga Unike e basketbollit, e përbërë nga ekipe të Kosovës e Shqipërisë, do të nisë të martën. Fillimisht Liga Unike fillon tek femrat dhe ky është edicioni i 3-të i tyre. Pas 10-javëve do të luhet “4-shja Finale” në fillim të muajit prill në Kosovë. Edhe këtë edicion në Ligën Unike të femrave do të marrin pjesë 6 skuadra, 3 nga Kosova dhe 3 nga Shqipëria. Bëhet fjalë për skuadrat që zunë 3 vendet e para edicionin e shkuar në kampionatet përkatëse.
Bashkimi, Prishtina dhe Penza do të paraqiten nga Kosova, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet me Flamurtarin e Vlorës, Partizanin e Tiranës dhe Tiranën. Java e parë do të luhet të martën dhe të mërkurën, me një ndeshje në Kosovë dhe dy në Tiranë. Bashkimi-Flamurtari dhe Partizani-Prishtina janë ndeshjet e së martës dhe zhvillohen duke nisur prej orës 17:00. Ndërsa, të mërkurën, duke nisur nga ora 17:00, do të luhet dueli mes Tiranës dhe Penzës.
“Kampione” në fuqi i Ligës Unike është Partizani, ndërsa edicionin e parë të Ligës Unike te basketbollistet e pati fituar Prishtina. Këtë edicion nuk do të luhet turneu i “Superkupës Mbarëkombëtare”, sikurse edicionin e shkuar, që paralajmëronte fillimin e kësaj veprimtarie. Ky turne ishte mbajtur në Prizren dhe ishte fituar nga skuadra e Flamurtarit të Vlorës.