AlbanianSport.com 06/12/2018 20:15
ASNN – Në kuadër të javës së 9-të të grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, Shoqata e Basketbollit Femra “Tirana” (SH.B.F. Tirana), mposhti në derbin kryeqytetas Studentin me rezultatin e thellë 93-46. Pra një fitore me dyfishin e pikëve, gjë që tregon diferencat e mëdha midis dy ekipeve në parket, por njëherësh edhe disnivelin që kanë skuadrat pretendente për titullin me ato që luftojnë për të mos rënë nga kategoria.
Vajzat që drejtohen nga trajnerja Mirza Alibegaj fituan 10-minutëshin e parë me shifrat 24-9, duke mos i dhënë asnjë mundësi rivaleve të rrezikojnë. Akoma më e thellë ishte diferenca në 10-minutëshin e dytë, që u fitua nga vajzat e SH.B.F. Tiranës, 33-16. Me pak fjalë, skuadra e Alibegajt shkoi në pushimin e madh të ndeshjes me rezultatin 57-25, një diferencë prej plot 32 pikë, duke bërë që këtu praktikisht ndeshja të luhej në dy pjesët e tjera vetëm për statistikë.
10-minutëshi i tretë ishte më i balancuar, pasi SH.B.F. Tirana e uli ritmin dhe provoi disa lojtare të reja, një pjesë që u mbyll me shifra të barabarta 14-14, kurse 10-minutëshi i katërt dhe i fundit u mbyll po me fitoren e thellë të skuadrës bardheblu, 22-7, e krejt takimi 93-46. Kjo fitore e ngjit përkohësisht Tiranën e Alibegajt në vendin e dytë, me 15 pikë, një vend dhe një pikë poshtë kryesueses, SH.K.B.F Tirana, që ka 16, duke lënë prapa Vllazninë dhe Flamurtarin, me nga 13 pikë secila,
Më pas vijon Studenti me 10 dhe Elbasani me 8 pikë. Të premten luhen takimi Elbasani-SHKBF Tirana, duke nisur nga ora 14:00, ndërsa të shtunën, dueli Flamurtari-Vllaznia, që nis në ora 11:00 në Vlorë e që pritet të jetë mjaft e fortë pasi kuqeblutë e patën mundur kampionen në fuqi dhe është e sigurt se vendaset e drejtuara nga trajneri Viron Toska do të kërkojnë hakmerren.