AlbanianSport.com 24.02.2016 19:50
ASNN – Kombëtarja shqiptare e basketbollit për femra e ka humbur edhe ndeshjen e 4-t në kuadër të Eliminatoreve të “Eurobasketit 2017”, duke u mundur përballë Italisë me shifrat 40-86. Përtej diferencës në shifra, kjo ndeshje, u luajt në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga kanali i dytë tokësor dhe nga kanali RTSH Sport i platformës dixhitale, ka qenë më e mira e zhvilluar deri më tani nga Kombëtarja kuqezi e koshit të vajzave.
Është zhvilluar të mërkurën ndeshja e katërt në kuadër të Eliminatoreve të “Eurobasketit 2017” në basketboll për femra dhe Shqipëria ka pësuar humbjen e 4-t radhazi, duke u mundur me shifrat 40-86 përballë Italisë. Në fakt, skuadra e drejtuar nga trajneri Erdal Borova, e cila pati pësuar 3 humbje të thella në takimet e deritanishme jashtë fushe, 38-121 ndaj Italisë, 39-99 ndaj Malit të Zi dhe 36-122 ndaj Britanisë së Madhe, ka zhvilluar një ndeshje më të disiplinuar taktikisht dhe është ndëshkuar shpesh nga pasaktësia poshtë koshit dhe shpesh nga fati i keq.
Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rezultatin 8-19 për “axurret”, ndërsa e dyta ka qenë më e mirë për vajzat kuqezi, por është fituar sërish nga mikeshat,të cilat shkojnë në pushim të ndeshjes në epërsi 24-46. Italianet kanë shpërthyer në pjesën e tretë e tretë, të cilën e fitojnë 22-6, duke bërë që në të katërtën ta ulin ritmin duke u mjaftuar me shifrat 18-10. Përfundimisht, Italia e drejtuar nga trajneri Andrea Kapobianko, fiton me shifrat 86-40.