AlbanianSport.com 21/11/2018 23:55
ASNN – Shqipëria turpërohet edhe në Lituani, Kombëtarja i mbyll me turp Eliminatoret e Evropianit. Kombëtarja kuqezi në basketboll për femra ka pësuar një tjetër disfatë të rëndë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2019, duke përmbushur kështu të gjitha kriteret për t’u ndjerë e turpëruar. 146-58 ishte rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje, një rezultat ku shifrat flasin vetë.
Një diferencë prej 88 pikësh, dëshmi e një disbalance që të tremb dhe një disfatë që shkakton dhimbje. Janë 6 ndeshje të luajtura dhe 6 humbje të thella, me diferenca katastrofike. Kurrë më parë basketbolli ynë nuk është prezantuar kaq dobët në një fushatë eliminatore, megjithëse duhet pranuar se kushtet ku operon sporti shqiptar në tërësi janë mjaft të vështira.
Thuajse në çdo pjesë, lituanezet fitonin me trefish ose katërfish pikësh. Kështu, 10-minutëshi i parë u mbyll 35-18 për ekipin vendas, dukshëm më cilësor se ekipi i trajnerëve Viron Toska e Ledina Koçi. Në 10-minutëshin e dytë Lituania fitoi 43-11, duke mos u dhënë asnjë lloj shansi vajzave shqiptare të pretendonin rezultat më të mirë. 10-minutëshin e 3-të fituan lituanezet 37-11 dhe 10-minutëshin e fundit me shifrat 31-18.
Si përfundim, krejt ndeshja u mbyll me rezultatin 146-58. Me këtë ndeshje Shqipëria mbylli angazhimet e saj në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit, me 4 humbje në 4 takime, në vend të fundit, me 4 pikë, dhe me një pikëaverazh të papranueshëm për një skuadër kombëtare. Por realiteti i tillë është dhe duhet pranuar, ky është një realitet i hidhur dhe i dhimbshëm për basketbollin e femrave.