AlbanianSport.com 07/03/2021 23:20
ASNN – Janë luajtur në fundjavë takimet e javës së 4-t të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra dhe Tirana dhe Flamurtari mbeten skuadrat e vetme me pikë të plota në krye të renditjes. Në sfidat e zhvilluara të shtunën, më 6 mars 2021, ekipi bardheblu mundi në fushë të huaj Vllazninë, me rezultatin 67-38. Shkodranet rezistuan vetëm një pjesë loje, ndërsa vendimtare rezultoi 10-minutëshi i 3-të të cilën vajzat e Mirza Alibegajt e fituan thellë 28-10.
Toska dhe Aliaj ishin lojtaret më të mira për Tiranën, të cilat shënuan secila nga 20 pikë. Të njëjtën shifër e regjistroi edhe Mala për Vllazninë. Flamurtari u tregua i papërmbajtshëm ndaj SHKB Tiranës, duke triumfuar 102-54. Lojtarja e ndeshjes për vlonjatet ishte boshnjakja Omerbashiç me 35 pikë. Ndërkaq, një rezultat për librin e rekordeve “Guinness” u regjistrua në ndeshjen Partizani-Apolonia, teksa kryeqytetaset fituan në shifra të jashtëzakonshme 140-11.
Një diferencë e pabesueshme, që vjen edhe si rrjedhojë e grupimit në një kategori të vetme të skuadrave, ku Partizani dukej si një skuadër e një planeti tjetër në raport me fieraket. Ka patur fitore këtë javë edhe për Studentin, që mundi Elbasanin me shifrat 62-55. Vata, me 17 pikë të realizuara, ishte më e mira për ekipin kryeqytetas, ndërsa për Elbasanin nuk mjaftuan as 33 pikët e Enisa Qosjes, e cila shënoi e vetme më tepër se gjysmën e totalit të skuadrës së saj.