Gjergj Vyshka 23.11.2016 15:20
Nga trajneri i kombëtares së Shqipërisë në basketboll për femra, Xhelal Kalaja, është mësuar se tashmë është konfirmuar pjesëmarrja në Eliminatoret e Kampionatit Botëror, që praktikisht duhet të nisin në vjeshtën e ardhshme.
Jo vetëm kaq, ndërsa më 10 dhjetor në Pragë do të hidhet shorti i djemve për Eliminatoret e Botërorit, por dhe për Kampionatet Evropiane të Moshave, Shqipëria, gjithnjë sipas Kalasë, do të marrë pjesë dhe për Nën-20-vjeçaret femra.
“Duhet të dimë që kombëtarja nuk mund të bëhet as me një javë, as me dhjetë ditë grumbullim dhe as me një herë në vit, – ka thënë Kalaja. – Por me grumbullime të herëpashershme, sepse vetëm kështu mund të evidentojmë ato që na duhen.”
“Ky është projekti im e nëse i duket i përshtatshëm Federatës Shqiptare të Basketbollit do të mund të vazhdojmë bashkëpunimin”, – ka theksuar trajneri kuqezi, i cili e ka bërë të ditur se është më shumë se sa e domosdoshme vëzhgimi i kampionatit të të rejave, por dhe i kombëtareve të kësaj moshe.
“Sepse ka elementë që duhen parë dhe që duhen mbajtur afër”, – përfundon Kalaja, i cili shpreson që me atë grup lojtaresh që ka sot të bëjë më të mirën me Britaninë e Madhe, e fundit për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017.