Gjergj Vyshka 12.10.2016 14:35
Goga Basket, nënkampionia e Shqipërisë në basketboll për femra, në prag të sezonit 2016-2017, sërish ka ndërruar drejtim në stol. Në krye të skuadrës, kjo pas largimit të Pjerin Bushatit, do të jetë Henri Moja, i njohur jo vetëm si trajner basketbollit, por dhe si komentator e gazetar në Telesport e TVSH.
Madje për herë të fundit, së bashku me specialistin e koshit Artan Kuqo, kanë komentuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar ndeshjen e Ligës Ballkanike, Tirana-Trepça Mitrovica 78-66. E ardhja e Mojës në krye të Goga Basket, që më parë ka qenë edhe trajner i Studentit në basketboll për meshkuj, ka si qëllim shpalljen e skuadrës “kampion”.
Por durrsakët nuk janë mjaftuar me kaq, sepse janë përforcuar dhe me boshnjaken Samra Omerbasiç. Lojtarja e qendrës, e cila është e datëlindjes 29 janar 1990, e ka nisur karrierën tek ZKK Spar Sarajevo me të cilën ka luajtur në sezonet 2006-2007 dhe 2007-2008. Më pas 2008-2009 e deri më 2015-2016 tek Zheleznjiçari, si dhe ka qenë pjesë e francezëve të Lë Havrë.
Pa harruar këtu se ka luajtur dhe me kombëtaren e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkohë pjesë e Goga Basket janë bërë dhe Bora Duqi, Ornela Lalaj, motrat Eli e Sofika Papa të ardhura nga Skënderbeu dhe Klaudia Hoxha. E janë larguar nga ekipi Fabiola Përmeti dhe Ebi Dishnica.