Nga Bujar Qesja 18.05.2016 13:05
Një Tiranë mjaft e mobilizuar në fillim të lojës, duke krijuar një epërsi ndaj Goga Basket 9-0, 16-8 e deri në 11 pikë diferencë. Motrat Bujari, veçanërisht basketbollistja virtuoze, kapitenia e skuadrës Eliverta Bujari dhe motra e saj Gera, të mbështetura nga Hoxhaj, Gjoni dhe 40-e-ca-vjeçarja, ndoshta rekord historik për moshën, Bruna Komti, kërkonin të bënin çudinë në sofrën sportive të Durrësit. Por nuk u lejuan nga vendaset.
Nëse pjesa e parë kaloi disi e përgjumur nga formacioni i të trajnerit të mirënjohur, Astrit Greva, dhe ndihmësit të tij energjik, Vladimir Xheka, pjesa e dytë sa ishte favorizuese për ta, aq fatale për mikeshat e ardhura nga Tirana. Përmbysje e plotë në lojë dhe rezultat dhe shifrat e kanë komentin brenda: 30-15. Gjysma e parë fiksohet në rezultatin 51-40 për Goga Basket.
Si gjithnjë violinë e parë për ekipin është Enxhi Xhanaj, një basketbolliste e talentuar, më shumë temperament dhe rezultative. Pjesa e tretë është shumë e fortë. Tirana barazon shifrat 53-53 dhe të duket se gjithçka nis nga e para. Pa dashur ta pranojmë njënashmërinë, gjykimi i treshes mikse fillon e lëkundet në favor të Tiranës, duke ngjallur edhe irritimin e publikut.
Zor se mund ta ketë gabim 82 vjeçari Greva, që disa herë nervozohet me vendime të njëanshme të gjyqtarëve, por shumë i matur i bën thirrje ekipit që reagimi të bëhet me lojë dhe shënime të koshave. Qypi dhe Mehmeti shënojnë radhazi kosha me vlerë 3-pikëshe dhe Tirana shtyhet sërish në diferencat e mëparshme. Pjesa e tretë mbaron 26-23 për Goga Basket.
Duket se rezultati i pjesës së dytë dhe të tretë, sigurohet edhe fitorja e Goga Basket. Kur kanë mbetur 5 minuta e fundit, Tirana bën edhe një sforcim e tenton të ofrohet deri në 5 pikë diferencë. Por djali i të paharruarit Feti Borova, Erdali, nuk mund t’ia kalonte “ustait të regjur” të koshit, Grevës. Pushim i “partizanasit” të njohur të stolit dhe gjithçka kalon sërish në epërsi të Goga Basket.
Fitorja vjen e thellohet sërish, derisa fiksohet përfundimisht në shifrat 94-81.
Goga Basket – Tirana 94-81
(21-25, 30-15, 26-23, 17-18)
Goga Basket: Përmeti (9), Turçinoviç (12), Xhanaj (26), Qypi (22), Mehmeti (14). U aktivizuan: Memushi (2), Popoviç (7), Dishnica (2). Trajner: Astrit Greva. Ndihmëstrajner: Vladimir Xheka.
Tirana: Gjoni (20). E. Bujari (28), G. Bujari (6), Komti (11), Hoxhaj (14). U aktivizua: Jaçe (2). Trajner: Erdal Borova. Ndihmëstrajner: Arjan Kristiani
Gjyqtarë: Gentian Cici (Tiranë), Erjon Hoxhaj (Shkodër), Hans Trajer (Shkodër).