AlbanianSport.com 26.09.2015 11:35
ASNN – Durrësi rikthehet në elitën e basketbollit për femra pas plot 35 vjetësh, por këtë radhë me ekipin privat të Akademisë “Goga Basket”. Është në fakt e habitshme që një qyteti të madh iu desh të priste 35 vjet. Kjo, veçse, është e vërteta, dhe Durrësi vetëm tani do ta ketë një ekip të basketbollit të vajzave në elitën shqiptare.
Një nismë e Akademisë “Goga Basket”, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Klubin Shumësportësh “Teuta”, bëri të mundur që të krijohej një skuadër, që do të drejtohet nga shumë i njohuri trajner, Astrit Greva. Akademia do të ketë edhe ekipin e meshkujve, që këtë vit do të synojë një kategori poshtë femrave.
Nga Italia ka ardhur trajneri Pjerin Bushati. Bushati thotë se Akademia ka plane edhe më të mëdha për basketbollin në qytetin e Durrësit. Ndërsa Sekretari i Akademisë, Ylli Ballanca, synon që Durrësi ta ketë këtë sport aty ku e ka pasur dikur. Por krijimi i skuadrave u bë edhe me ndihmën e Bashkisë dhe të Teutës.
Kështu thotë shefi i Klubit Shumësportësh, Kreshnik Leka, por tani mbetet që nga prezantimi të kalohet në ndeshjet zyrtare dhe të arrihen rezultatet. Me trajnerë të tillë si Greva dhe Bushati, shpresat nuk janë aspak të vogla, ndonëse duhet theksuar se basti mbetet i madh përballë rivalëve më të konsoliduar.