AlbanianSport.com 11.02.2016 15:25
ASNN – Sikundër kishte raportuar dy ditë më parë edhe faqja jonë, më datë 10 dhe 11 shkurt 2016, Komuna e Çairit në Maqedoni, në bashkëpunim me Klubin e Basketbollit “Shkupi”, kanë organizuar turneun ndërkombëtar për të rritura, ku përveç ekipit organizator, kanë marrë pjesë edhe “Goga Basket” e Durrësit, nga Shqipëria, Klubi i Basketbollit “SIGAL Prishtina” nga Kosova dhe Klubi i Basketbollit “Klubski” nga Dellçeva.
Ky turne, i cili u organizua edhe në prag të përvjetorit të 8-të të shpalljes së Pavarsisë së Kosovës, spikati edhe për faktin se tre prej ekipeve pjesëmarrëse e kanë mbyllur në vendet e dyta të renditjes gjatë fazës së parë të kampionateve përkatëse në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Turneu ka nisur me ndeshjen e parë gjysmëfinale, midis atë midis KB “SIGAL Prishtinës” dhe KB Klubskit. Kjo ka qenë një sfidë e barazpeshuar, por ekipi nga kryeqyteti i Kosovës ka arritur të triumfojë me vetëm 3 pikë diferencë, 67-64.
Prishtinaset u bënë kështu skuadra e parë që kalon në gjysmëfinale, ndërsa pas përfundimit të kësaj ndeshjeje të parë gjysmëfinale, diku rreth orës 19:05, këtë turne e kanë shpallur edhe zyrtarisht të hapur, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, si dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka. Pas këtij ceremoniali, është zhvilluar ndeshja e dytë e ditës së parë, gjysmëfinalja tjetër, midis KB Shkupit dhe Goga Basket të Durrësit.
Skuadra durrsake, e drejtuar nga trajnerët Astrit Greva dhe Vladimir Xheka, kanë luajtur me siguri në vetvete, duke e fituar këtë gjysmëfinale ndaj vendaseve me shifrat 97-70 dhe duke siguruar vendin në finalen e sotme. Kështu, në ditën e dytë, fituesit që kanë dalë nga këto dy ndeshje kanë diskutuar finalen e madhe, ndërsa skuadrat humbëse do kanë luftuar për vendin e tretë dhe të katërt. Duhet theksuar se të 4 ndeshjet janë zhvilluar midis një interesimi të madh të tifozerisë vendase.
Goga Basket ka qenë e papërmbajtshme në finale përballë SIGAL Prishtinës, duke triumfuar me shifrat e thella 112-57 dhe duke bërë të vetën Kupën e kësaj veprimtarie. Formacioni i durrsakeve në këtë sfidë finale përbëhet nga Përmeti, Xhanaj, Dishnica, Qypi dhe Mehmeti. Përveç kësaj, lojtarja më e mirë e këtij turneu të zhvilluar në një atmosferë miqësore, u përzgjodh nr. 7 i Goga Basket, Enxhi Xhanaj, e cila u nderua me medalje nga organizatorët.
Kësisoj, skuadra durrsake tashmë shkon në gjysmën e dytë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra me moral të lartë.