AlbanianSport.com 15.03.2017 11:35
ASNN – Jelena Nikpajleviç është basketbollistja më e re e Flamurtarit. Tashmë, lojtarja malazeze, e cila në Serbi ka luajtur me Verbacin, deri në fund të sezonit do të jetë pjesë e vlonjateve, që me lojtare nga shtetet fqinje tashmë kërkon konfirmimin si “kampione” në fuqi e basketbollit të femrave.
E kjo lojtare vjen në një moment kyç të kampionatit, ndërsa Flamurtari do të presë Studentin, më pas do të ndeshet me Tiranën në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet dhe e mbyll fazën e dytë me Goga Basket në Vlorë. Dy pretendente për titull, por që Flamurtari kërkon një pozicion të mirë në renditje, që do ta favorizojë për “play-off”-in për titull “kampion”.
“Jam e kënaqur që vij në një skuadër, e cila e dominon basketbollin e femrave në Shqipëri, – ka deklaruar Nikpajleviçi. – Më kanë pritur mirë në skuadër dhe në stërvitjet e para që kam kryer me Flamurtarin jam ndjerë mjaft mirë. Në skuadër ka shumë lojtare me cilësore dhe me përvojë.”
“Gjendem gjithashtu në një qytet mjaft të bukur, ndërsa tanimë do të jap maksimumin për ta kthyer skuadrën fillimisht në vendin e parë në renditje dhe më pas dhe tek titulli kampion”, – përfundoi ajo. Flamurtari në basketboll për femra është në vendin e 3-të dhe ndeshjet ndaj Tiranës e Goga Basket janë shumë vendimtare për vendin e parë në renditje.