AlbanianSport.com 21.05.2016 15:25
ASNN – Flamurtari në basketboll për femra ka zhvilluar ndoshta një nga ndeshjet më të bukura të këtij sezoni. Ka fituar thellësisht dhe ka dominuar përballë Goga Basket në ndeshjen e parë finale për titull “kampion” në basketboll për femra. Një ndeshje e interpretuar mjaft mirë nga skuadra vlonjate, që ka treguar dëshirë dhe grintë për të fituar dhe ka treguar se ka ende dëshirë sërish për të fituar titullin kampion. Në një pallat sporti ku kishte më shumë sportdashës se çdo ndeshje tjetër, ndërsa nuk kanë munguar edhe tifozë nga Durrësi, është Flamurtari që e nis shumë shpejt ndeshjen.
Vlonjatet janë mbrojtur mjaft mirë dhe natyrisht kanë qënë efikas në lojën sulmuese. Kostallari është thuajse e përkryer në lojën në tabelë, ndërsa në sulm Flamurtari luan shpejt dhe nis të krijojë diferencë në pikë. 10 minutat e para krijojnë një epërsi të mirë për Flamurtarin, që i mbyll 24-8. Në pjesën e dytë, Goga Basket mundohet të ndryshojë diçka dhe të baraspeshojë lojën. Por pavarësisht faktit se luan më mirë se në 10 minutat e para, sërish Flamurtari nuk i lë shumë hapësirë duke arritur të shënojë sërish më shumë pikë se skuadra mike dhe mbyllur krejt gjysmën e parë në epërsi 41-22.
Me rifillimin e lojës pas pushimit, Flamurtari kërkon të mbyllë gjithçka për të mos vënë asgjë në diskutim. Plasa, Myrto, Zykaj, por edhe Palko luajnë shpejt duke krijuar mundësinë të jenë efikase tek koshi i Goga Basket. Kostallari vijon të mbrojë mirë poshtë koshit, ndërsa Flamurtari nis e rrit diferencën në pikë ndaj skuadrës së trajnerit Astrit Greva, duke konfirmuar se ky takim do të fliste veçse për Flamurtarin. Avantazhi shtohet dhe perioda e tretë mbyllet në rezultatin 63-35 për Flamurtarin. Duket se 10 minutat e fundit janë thjesht për statistikë.
Kjo pasi edhe Goga Basket e ka kuptuar se nuk mund të bëjë dot më shumë në pjesën e mbetur të ndeshjes, ndërsa nuk është ajo skuadër që ishte dy javë më parë në Vlorë dhe që fitonte ndaj Flamurtarit. Skuadra vlonjate dhe trajneri Viron Toska e zgjidhin mjaft mirë edhe pjesën e fundit, madje duke mbyllur gjithçka me 30 pikë epërsi, me shifrat 83-53. Një Flamurtar i shkëlqyer, aq sa është duartrokitur nga tifozët në Pallatin e Sportit të Vlorës, të cilët kërkojnë rikonfirmimin e titullit kampion.
Flamurtari – Goga Basket 83-53 (1-0)
(24-8, 17-14, 22-13, 20-18)
Flamurtari: Myrto, Zykaj, Rrapaj, Bleta, Palko / Lloi, Plasa, Kostallari, Hasanaj, Kasaj, Hysaj. Trajner: V. Toska
Goga Basket: Përmeti, Baraj, Turçinoviç, Xhanaj, Memushi / Popoviç, Qypi, Dishnica, Mehmeti. Trajner: A. Greva
Gjyqtarë: E. Allaraj, A. Bejko (Tiranë), G. Basho (Shkodër)