Gjergj Vyshka 20.10.2015 09:45
Erdal Borova do të jetë trajneri i ri i kombëtares së basketbollit të femrave, e cila do të jetë pjesëmarrëse në edicionin e Eliminatoreve të Kampionatit Evropian për vitin 2017. Siç dihet Shqipëria, e cila kthehet në këto sfida pas gati katër vjetësh mungesë, është në grupin C, ndërsa do të ketë për kundërshtar Italinë, Malin e Zi dhe Britaninë e Madhe.
Dhe pikërisht më 21 nëntor në vizitën italiane, Borova do të ketë sfidën e tij të parë. E pas katër ditësh, të paktën edhe sipas kalendarit, Shqipëria duhet të presë Malin e Zi. Por për shkak të mungesës së Pallatit të Sportit sipas kushteve të kërkuara nga Federata Botërore e Basketbollit dhe ajo Evropiane, kjo sfidë ende nuk është e qartë se ku do të luhet.
Megjithatë Borova tashmë e ka marrë detyrën e trajnerit të kombëtares të të rriturave. Ka një përvojë në drejtimin e kombëtareve, ndërsa vite më parë ka qenë në drejtimin e përfaqësueseve të moshave për djem së bashku me elbasanasin Edmond Biçoku. Dhe pasi ka drejtuar Virtus Tiranën, që nga 2012-ta është në krye të Tiranës për femra. Ka fituar një Kupë Shqipërie me këtë skuadër,
Misioni duket i pamundur, por Erdal Borova, që hyn në brezin e trajnerëve të rinj të koshit shqiptar dhe me shumë dëshirë për të bërë një basketboll cilësor, mund të bëjë një paraqitje dinjitoze. Të paktën për të mos u shkërmoqur fare siç ka qenë një humbje me Estoninë, më 30 maj 2011, 127-33. E vërteta është se lojtare ka, mjafton t’i bësh bashkë për një Shqipëri dinjitoze në basketbollin e femrave në arenën ndërkombëtare.